Situatë kritike është krijuar në fshatrat Galush dhe Gjevur të Peqinit, ku prej disa orësh një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë ullishta, shkurre dhe sipërfaqe me bimësi, duke përshkuar deri tani rreth 25 hektarë.
Pavarësisht angazhimit të dhjetëra forcave të shërbimit zjarrfikës, strukturave të emergjencave civile, Forcave të Armatosura dhe banorëve të zonës, si dhe ndërhyrjes nga ajri, zjarri vijon të jetë aktiv dhe nuk është mundur ende të shuhet.
Gjatë gjithë pasdites situata ka qenë e vështirë, ndërsa në orët e mbrëmjes flakët kanë avancuar në drejtim të një blloku banesash, duke rritur shqetësimin për sigurinë e banorëve.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të angazhuara në operacion po punojnë për krijimin e një vije mbrojtëse, me qëllim ndalimin e përparimit të flakëve drejt banesave.
Në terren vijon operacioni për izolimin e vatrës së zjarrit, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme për shkak të rrezikut që flakët të përhapen më tej.

