Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme në zonën mes Manatisë dhe Barbullojës, në Lezhë. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me ferra dhe shkurre, ndërsa zjarri është përhapur me shpejtësi në një perimetër të konsiderueshëm.
Përmasat e vatrës së zjarrit kanë rritur rrezikun për disa banesa pranë zonës së përfshirë nga flakët. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat nisën punën për izolimin e flakëve.
Operacioni për shuarjen e flakëve u përballën me vështirësi të konsiderueshme për shkak të erës së fortë, pasi kushtet atmosferike favorizuan përhapjen e flakëve dhe krijimin e vatrave të reja, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Forcat zjarrfikëse ndodhen ende në terren për të shuar plotësisht flakët. Mësohet se rreziku i madh ka kaluar.
