Zjarri i rënë që prej ditës së djeshme në Galush dhe Gjevur të Peqinit ka vijuar të përhapet me shpejtësi edhe gjatë ditës së sotme, i favorizuar edhe nga era e fortë.

Sipërfaqe të tëra me bimësi dhe pyje janë djegur, ndërkohë që veç forcave zjarrfikëse, një helikopter po ndërhyn nga ajri për vënien nën kontroll të flakëve. Ndërkohë në fshatin Aspiraj është djegur një banesë.

Ndërkohë situata nga zjarri, edhe në malin e Manatisë në Lezhë është përkeqësuar sërish. Pas disa orësh ndërprerje, flakët janë riaktivizuar dhe po përhapen në terren, duke rrezikuar të kalojnë edhe në drejtim të zonës së Rubikut në Mirditë. Për shuarjen e zjarrit është rikthyer ndërhyrja nga ajri, ku aktualisht po operojnë dy helikopterë.

Lezha u përball me një situatë të vështirë nga zjarret gjatë mbrëmjes së të enjtes, me disa vatra që u aktivizuan njëherësh.

Situata më problematike u shënua në Barbullojë, ku flakët nisën në shkurre dhe, të favorizuara nga era, avancuan drejt banesave. Flakët nuk kursyen as shinat e trenit.

Paraprakisht, dyshohet se zjarret janë vendosur nga fermerë që djegin mbeturinat bujqësore. Ky dyshim u përmend edhe nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu gjatë një mbledhjeje me policinë dhe strukturat e tjera, ku kërkoi identifikimin e autorëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:32
Vijon zjarri në Galush dhe Gjevur të Peqinit, nis ndërhyrja nga ajri (VIDEO)

 

Zjarri i rënë që prej ditës së djeshme në Galush dhe Gjevur të Peqinit vijon të jetë aktiv edhe sot.

Për shkak të erës zjarri ka djegur një sasi të konsiderueshme me bimësi.

Për fikjen e tij po punon edhe një helikopter.

Ora 14:52
Riaktivizohen flakët në Manati të Lezhës, rrezik përhapja drejt Rubikut! Ndërhyjnë dy helikopterë (VIDEO)

 

Situata nga zjarri në malin e Manatisë në Lezhë është përkeqësuar sërish. Pas disa orësh ndërprerje, flakët janë riaktivizuar dhe po përhapen në terren, duke rrezikuar të kalojnë edhe në drejtim të zonës së Rubikut në Mirditë.

Për shuarjen e zjarrit është rikthyer ndërhyrja nga ajri, ku aktualisht po operojnë dy helikopterë. Forcat në terren po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Ora 11:07
Zjarri në Lezhë, Ndreu mbledhje urgjente me strukturat dhe drejtues të Policisë: Dyshohet për zjarrëvenie të qëllimshme, të identifikohen autorët

Zjarret që përfshinë disa zona te Lezhës mbrëmjen e së enjtes duke rrezikuar edhe banesa kanë vënë në lëvizje mënjëherë autoritetet. Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, ka kërkuar sot një mbledhje urgjente me prefektin e qarkut, drejtuesit e Policisë së Shtetit, përfaqësues të SHISH-it dhe strukturat e emergjencave. Në këtë takim do të diskutohet mbi situatën e rënduar nga zjarret dhe identifikimin e personave që janë përgjegjës për ndezjen e vatrave. 

Përhapja e shpejtë e flakëve në disa zona të ndryshmë kanë ngritur dyshime bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Për këtë arsye, Ndreu ka kërkuar angazhim maksimal të të gjitha strukturave për zbardhjen e rasteve dhe identifikimin e autorëve. Përveç kësaj në fokus ka qenë edhe bashkëpunimi mes institucioneve, për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla, që mbrëmjen e kaluar rrezikuan jo vetëm sipërfaqe të konsiderueshme të territorit, por edhe banesa e sigurinë e banorëve.

Pas takimit, kryetari i Bashkisë ka bërë edhe një apel publik për qytetarët, duke kërkuar kujdes maksimal dhe njoftim të menjëhershëm të strukturave për çdo vatër zjarri apo situatë të dyshimtë. Ndërkohë, strukturat zjarrfikëse dhe emergjencat civile vijojnë monitorimin e territorit, ndërsa institucionet ligjzbatuese po punojnë për dokumentimin e rasteve dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.

Ora 08:29
Pjerin Ndreu apel qytetarëve të Lezhës: Mos ndizni zjarre, një shkëndijë mjafton për të shkaktuar një katastrofë (VIDEO)

 

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre, në kuadër edhe të situatës së ditëve të fundit, e veçanërisht së enjtes.

Ndreu shkruan krah një videoje se në kushtet e thatësirës, një shkëndijë e ndezur me dashje apo nga pakujdesia, mund të ketë pasoja të rënda në banesa, prona dhe jetë njerëzish.

Postimi i plotë:

Apel urgjent për të gjithë qytetarët e Lezhës dhe zonave përreth!

Të nderuar qytetarë,

Ditët e fundit, dhe veçanërisht gjatë ditës së djeshme, jemi përballur me situata dramatike nga zjarret në Piraj, Barbullojë dhe Manati.

Në kushtet kur prej më shumë se tre muajsh mungojnë reshjet, bimësia është jashtëzakonisht e thatë dhe era favorizon përhapjen e flakëve, mjafton një shkëndijë për të shkaktuar një katastrofë!

Ndezja e zjarrit në ferra, ara, mbeturina apo ambiente të hapura, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, mund të vërë në rrezik banesa, prona dhe mbi të gjitha jetë njerëzish.

Ju bëjmë thirrje: MOS NDIZNI ZJARRE!

Në këto kushte, çdo papërgjegjshmëri mund të ketë pasoja shumë të rënda. Kur flakët përhapen me shpejtësi, ndërhyrja bëhet jashtëzakonisht e vështirë dhe mbrojtja e banesave një sfidë e madhe.

Kërkojmë bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë e çdo banori. Parandalimi është mbrojtja më e mirë!

Një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë një fatkeqësi të madhe.

Të mbrojmë së bashku njerëzit, shtëpitë dhe territorin tonë!