
Zjarre kanë rënë në disa shkolla në Francë, ndërsa nxënësit protestojnë duke bllokuar institucionet arsimore në mbarë vendin për shkak të çështjeve që lidhen me financimin e shkollave dhe kushtet e studimit.
U raportuan zjarre në dy gjimnaze në Nantes, në Francën perëndimore, ndërsa një tjetër u filmua duke përfshirë hyrjen e një shkolle në qytetin verior të Rouen-it.
Nxënësit po protestojnë për shkak të mungesës së mësuesve dhe stafit, klasave të mbipopulluara dhe ndërtesave të amortizuara. Të enjten, edhe studentët e universiteteve iu bashkuan demonstratave, duke paraqitur kërkesa të ngjashme.
Ministria e Brendshme njoftoi se të enjten u arrestuan 1.949 persona dhe u plagosën 305 oficerë policie. Kryeministri Sébastien Lecornu zhvilloi një mbledhje urgjente të enjten për të diskutuar mbi trazirat.
Më pas, qeveria deklaroi se demonstratat e udhëhequra nga nxënësit kishin degjeneruar në "dhunë urbane".
Të dyja zjarret në Nantes shpërthyen pasi u vu flaka një koshi plehrash. Zjarri në gjimnazin "Nelson Mandela", në qendër të qytetit, u përhap më pas në pjesën e përparme të ndërtesës, duke dëmtuar sallën e hyrjes.
Në qytetin jugor të Marsejës, stafi i gjimnazit "Victor Hugo" u spërkat me benzinë, ndërsa protestuesit raportohet se po mbushnin enë me lëndë djegëse.
Ndërkohë, në veri, drejtori i gjimnazit "Degrugillier" në fshatin Auchel u plagos në vesh nga një fishekzjarr që devijoi nga trajektorja e tij.
Bllokadat dhe protestat në licetë franceze të destinuara për nxënësit e moshës 15-18 vjeç, të ngjashme me shkollat e mesme të larta në Mbretërinë e Bashkuar apo SHBA filluan javën e kaluar, për t'u përhapur më pas në qindra shkolla anembanë vendit. Deri më tani, sipas Ministrisë së Brendshme, 1 027 lice janë prekur nga demonstratat, ndërsa në 222 prej tyre janë vendosur bllokada.
Gjithashtu, raportohet se janë bllokuar të paktën 30 universitete, përfshirë kampuset në Ren (Rennes) dhe në Paris. Të enjten, shërbimet e transportit publik në Marsejë dhe në Strasburg u pezulluan për shkak të akteve të vandalizmit dhe kërcënimeve me dhunë, si dhe për të penguar lëvizjen e protestuesve. Versus.al

