Manastiri i Shën Julitës dhe Qirikut në Dhuvjan të Dropullit po restaurohet me mbështetjen e World Monuments Fund, për fazën aktuale.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ishte në Dhuvjan ku inspektoi nga afër këtë fazë restaurimi. Gonxhja tha se, projekti përfshin edhe sinjalistikën e shtigjeve që lidhin monumentet e zonës, duke ruajtur trashëgiminë dhe krijuar mundësi të reja për turizmin kulturor në Dropull.
Ky projekt zbatohet nga Cultural Heritage Without Borders, në bashkëpunim me IKTK-në, DRTK Gjirokastër, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Bashkinë Dropull dhe komunitetin lokal.
“Kjo sinergji po jep rezultate të prekshme në ringjalljen shpirtërore dhe materiale të historisë sonë fetare por edhe në rigjallërimin ekonomik e social”, u shpreh ministri Gonxhja.
Manastiri i Shën Qirikut dhe Julitës (i njohur edhe si Manastiri i Lindjes së Hyjlindëses) është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kishtare në jug të Shqipërisë, në zonën e Dropullit.
Manastiri i përket periudhës bizantine. Disa burime historike dhe shënime të vjetra monastike sugjerojnë se kompleksi aktual mund të jetë themeluar ose rindërtuar rreth vitit 1089, gjatë sundimit të Perandorisë Bizantine.
Manastiri është ndërtuar me plan në formë kryqi me kupolë qendrore, tipik i arkitekturës pasbizantine. Brenda ka gjashtë kolona guri që mbajnë kupolën.
Objekti iu kushtua shenjtorëve martirë Saint Quiricus (Qiriku) dhe Saint Julitta (Julita). Në 1777, aty u hap një shkollë greke nga misionari ortodoks Cosmas of Aetolia, duke e kthyer manastirin në qendër arsimore dhe fetare për zonën e Dropullit. Më vonë u shtuan edhe shkolla për vajza dhe punime artizanale.
Në vitin 1963, u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Ky manastir konsiderohet një perlë e trashëgimisë bizantine në Luginën e Drinos, jo vetëm si vend kulti, por si dëshmi e historisë së krishterimit dhe kulturës së zonës së jugut shqiptar. A.K./TemA
Lini një Përgjigje