Ekspertët paralajmërojnë rritje të ndikimit iranian pas tërheqjes së SHBA-së nga Iraku

Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku mund t’i japë Iranit mundësi të reja për të zgjeruar ndikimin e tij, vlerësojnë ekspertët, të cilët paralajmërojnë se Teherani mund të përfitojë nga çdo boshllëk i mundshëm në sigurinë e vendit.

Të lidhura

None found

Irani ka tashmë një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe ekonomike të Irakut. Teherani mbështet milici të fuqishme shiite, disa prej të cilave janë pjesë e strukturave shtetërore të sigurisë, por ruajnë një shkallë të konsiderueshme autonomie.

Republika Islamike e Iranit e përshëndeti më 30 shtator përfundimin e pranisë ushtarake amerikane në Irak, pas dy dekadash, duke e paraqitur këtë zhvillim si një fitore të rëndësishme në përpjekjet për largimin e forcave amerikane nga Lindja e Mesme.

“Irani e sheh çdo dobësi të SHBA-së si mundësi për të ushtruar trysni dhe për të qenë më agresiv, prandaj pres që iranianët të përpiqen të përfitojnë nga status quo-ja e re duke treguar forcën e tyre në Irak”, tha Colin Clarke, drejtor ekzekutiv i Qendrës Soufan, një institut me bazë në Nju Jork.

Paralelisht, ekspertët shohin rrezik edhe për rikthimin e grupit ekstremist Shteti Islamik (IS). Organizata është dobësuar ndjeshëm, por vazhdon të jetë aktive në Irak.

Teherani mund të forcojë pozitat

Largimin amerikan nga Iraku, Irani e lidhi me suksesin e të ashtuquajturit “bosht i rezistencës”, rrjeti i aleatëve dhe grupeve militante që mbështeten nga Teherani në përballjen me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, krahu elitar i forcave të armatosura iraniane, deklaruan më 1 tetor se tërheqja përbënte një “arritje madhështore” për këtë bosht. Sipas tyre, ajo shënonte fundin e “disfatës së rëndë dhe të turpshme të Amerikës” në Irak.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e cilësoi tërheqjen si “fitore” për Uashingtonin dhe Bagdadin, duke thënë se “është koha që Amerika të shkojë në shtëpi!”

Vendimi për tërheqjen është marrë në një periudhë kur lufta e SHBA-së me Iranin vazhdon, çka ka shtuar pikëpyetjet mbi pasojat e tij. Sipas ekspertëve, ky zhvillim mund t’i përcjellë Teheranit një sinjal të gabuar.

“Teherani do ta konsiderojë këtë si dëshmi se Uashingtoni po heq dorë nga një angazhim nën presion dhe si një mundësi për ta forcuar kontrollin e vet në Irak”, tha Farzin Nadimi, ekspert për mbrojtjen dhe Iranin në Institutin e Uashingtonit. Ai shtoi se Irani do ta interpretojë tërheqjen si “provë se presioni funksionon”.

Në fund të shkurtit, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një fushatë ajrore kundër Iranit, grupet aleate të Teheranit në Irak u përfshinë në luftime dhe sulmuan objekte diplomatike e ushtarake amerikane.

Ndërkohë, Irani ndërmori disa valë sulmesh me raketa dhe dronë në rajonin gjysmautonom kurd të Irakut, në veri të vendit, ku grupet opozitare kurde iraniane kanë kampe dhe zyra.

Milicitë proiraniane kërkojnë më shumë hapësirë

“Rezistenca Islamike në Irak”, një organizatë ombrellë e grupeve të armatosura shiite të mbështetura nga Irani, e ka paraqitur tërheqjen amerikane si rezultat të sulmeve të saj dhe si një fitore për kauzën e vet.

Disa prej këtyre grupeve janë pjesë edhe e Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), një strukturë ombrellë e milicive kryesisht proiraniane, e cila që nga viti 2016 është pjesë e Ushtrisë së Irakut.

Të lidhura me boshtin iranian të rezistencës, disa prej këtyre organizatave kanë refuzuar të çarmatosen dhe t’ia dorëzojnë armët shtetit. Për këtë arsye, Bagdadi u detyrua ta shtyjë deri në qershor të vitit 2027 afatin fillestar për çarmatosjen, i cili ishte 30 shtatori.

Kataib Hezbollah, një nga milicitë më të fuqishme proiraniane në Irak dhe një organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja, kërcënoi qeverinë e Bagdadit para largimit të forcave amerikane.

“Një qeveri që nuk punon për të mirën e popullit të saj do të rrëzohet me të gjitha mjetet e mundshme”, thuhej në deklaratë.

Sipas ekspertëve, organizata si Kataib Hezbollah mund ta interpretojnë largimin e SHBA-së si një sinjal që u lejon të zgjerojnë veprimtarinë dhe praninë në zonat ku janë të vendosura milicitë e tyre.

Një prej këtyre zonave është Kurdistani irakian, në kufi me veriperëndimin e Iranit. Në këtë rajon ndodhej edhe një bazë ajrore amerikane, e cila u mbyll më 30 shtator.

“Me largimin e trupave amerikane dhe mbrojtjes ajrore, këto grupe kanë më shumë hapësirë për t’i bërë presion Qeverisë Rajonale të Kurdistanit, për të thelluar rolin e tyre në institucionet irakiane të sigurisë dhe për ta përdorur territorin irakian për sulme ndaj partnerëve të SHBA-së”, tha Nadimi.

“Largimi i kapaciteteve amerikane të mbrojtjes ajrore dhe raketore nga [Kurdistani irakian] shihet veçanërisht si shqetësues. Shtetet e Bashkuara ende mund të kryejnë sulme nga jashtë Irakut, por kufizimi në terren nuk ekziston më”, shtoi ai.

Pentagoni ka bërë të ditur se SHBA-ja do të vazhdojë t’u ofrojë forcave të qeverisë irakiane trajnime dhe informacione të inteligjencës.

Rreziku i rikthimit të IS-it

Një pjesë e madhe e irakianëve e kanë pritur pozitivisht largimin e trupave amerikane. Megjithatë, disa prej tyre dyshojnë nëse forcat qeveritare janë plotësisht të përgatitura për të garantuar sigurinë e këtij vendi të Lindjes së Mesme, me rreth 48 milionë banorë.

Shtetet e Bashkuara pushtuan Irakun në vitin 2003 dhe përmbysën regjimin e diktatorit Saddam Hussein. Pas kësaj, vendi u përfshi për vite me radhë nga lufta dhe konflikti sektar, pasojat e të cilit ende po përpiqet t’i tejkalojë.

Pas tërheqjes së vitit 2011, trupat amerikane u kthyen në Irak në vitin 2014, me synimin për të ndihmuar në luftën kundër ekstremistëve të IS-it. Në atë kohë, grupi kishte marrë nën kontroll territore të mëdha në Irak dhe në Sirinë fqinje.

Forcat irakiane të sigurisë kanë ndërtuar kapacitete më të mëdha për operacione, por vazhdojnë të kenë mungesë të fuqisë ajrore dhe të mbështeten në ndihmën e huaj. Ekspertët vlerësojnë se largimi amerikan mund të sjellë pasiguri më të madhe në Irak, duke krijuar kushte që grupet ekstremiste të përpiqen t’i shfrytëzojnë.

“IS-i do ta shohë këtë si një mundësi dhe mbetet e pasigurt nëse dhe në çfarë mase forcat irakiane të sigurisë do të jenë në gjendje ta mbajnë grupin nën kontroll”, tha Clarke.

“Është e vështirë të shikosh situatën e tanishme pa t’u kujtuar tërheqja e SHBA-së në vitin 2011, e cila hodhi farat për ngritjen e IS-it”, shtoi ai./REL


Shtuar më 2.10.2026 09:03

Quantcast
sultanbeyli escortjojobetcasibomMarsbahisCasino welcome bonusjojobetcasibomjojobetmarsbahisJojobetcasinoroyalholiganbetmadridbet girişholiganbetholiganbet girişjojobet girişjojobetmadridbetbahsegelHoliganbet GirişMarsbahis Girişjojobet girişbahsegelzbahisbetciosekabetstarzbetjojobetjojobetjojobet girişhuhubet