Zyrtare/ Lionel Messi bëhet pronar i një klubi spanjoll
Leo Messi ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm në botën e futbollit, këtë herë jashtë fushës. Ylli argjentinas është bërë zyrtarisht pronar i klubit spanjoll CD Eldense, duke nisur një projekt të ri për skuadrën.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi, i cili përmes një njoftimi zyrtar bëri të ditur se shoqëria është blerë nga Messi.
“Club Deportivo Eldense njofton zyrtarisht blerjen e shoqërisë nga Leo Messi, duke i dhënë fillim një faze të re dhe emocionuese në historinë tonë më shumë se një shekullore”, thuhet në komunikatën e klubit.
Sipas Eldenses, përfshirja e Messit si pronar shënon nisjen e një projekti afatgjatë, i cili synon zhvillimin e klubit në aspektin sportiv, institucional dhe social.
“Mbërritja në futbollin profesionist spanjoll, në rolin e pronarit të CD Eldense, e një prej figurave më të rëndësishme në historinë e sportit, shënon fillimin e një projekti afatgjatë të orientuar drejt promovimit të zhvillimit sportiv, institucional dhe social të klubit”, vijon njoftimi.
Kështu, Messi nis një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë në rolin e drejtuesit dhe investitorit, duke synuar të lërë gjurmë edhe jashtë fushës së blertë.

