Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Francë janë përshkallëzuar, duke kaluar në përplasje të dhunshme me policinë dhe incidente të shumta në disa qytete të vendit.
Demonstratat, që nisën javën e kaluar në rajonin e Parisit për shkak të orareve të ngarkuara mësimore, mungesës së mësuesve dhe kushteve të amortizuara në shkolla, tashmë janë shtrirë në mbarë vendin. Qeveria franceze ka paralajmëruar për një situatë të “dhunës urbane”, ndërsa kryeministri Sébastien Lecornu ka thirrur një mbledhje të kabinetit për menaxhimin e krizës dhe u ka kërkuar ministrave të anulojnë udhëtimet e planifikuara.
Sipas policisë, rreth 900 protesta, bllokime dhe incidente të tjera janë regjistruar pranë shkollave të mesme në të gjithë Francën, ndërsa më shumë se 160 shkolla janë mbyllur për shkak të situatës. Bllokime janë raportuar edhe në rreth 30 kampuse universitare, përfshirë në Paris dhe Marsejë. Ministria e Brendshme bëri të ditur se që prej nisjes së protestave janë ndaluar rreth 3 mijë nxënës të moshës 15 deri në 18 vjeç, ndërsa vetëm gjatë së enjtes u ndaluan 1,949 persona.
Përplasjet kanë shkaktuar dëmtime dhe plagosje të më shumë se 300 efektivëve të policisë, si dhe dhjetëra zjarrfikësve, mësuesve dhe nxënësve. Protestuesit kanë hedhur sende ndaj forcave të rendit, ndërsa në disa raste janë përdorur edhe mjete të kontrollit të turmave nga policia. Ministria e Brendshme ka nisur një hetim të brendshëm pas akuzave për përdorim të tepruar të forcës ndaj tre nxënësve.
Në disa qytete, koshat e mbeturinave janë djegur dhe janë raportuar tentativa për t’u vënë flakën edhe ambienteve të shkollave. Në Nantes, dëmet nga zjarri në një shkollë kanë qenë aq të mëdha sa autoritetet kanë vendosur që ajo të qëndrojë e mbyllur për një muaj. Në Kaen, një nxënëse 16-vjeçare tha se ata që djegin koshat duhet të protestojnë “me fjalë”, duke theksuar se nxënësit po kundërshtojnë një qeveri që, sipas saj, nuk investon në ngrohje, kondicionim apo pagat e mësuesve.
Pakënaqësitë e nxënësve lidhen me klasat e mbipopulluara, mungesën e stafit pedagogjik, oraret e ngarkuara dhe kushtet e dobëta të godinave. Një 17-vjeçar në Strasburg deklaroi se në klasën e tij janë 35 nxënës, ndërsa mungojnë tualetet, ka rrjedhje uji në disa ambiente dhe godina është në gjendje të amortizuar. Në këtë qytet, shërbimi i tramvajeve u ndërpre përkohësisht pasi protestuesit bllokuan shinat me barriera.
Incidente janë raportuar edhe në Tuluzë, Lilë dhe Marsejë, ku në disa raste janë tentuar të shkaktohen zjarre brenda shkollave. Në një prej incidenteve në Marsejë, një mësues u spërkat me benzinë. Ndërkohë, disa mësues dhe drejtues shkollash kanë raportuar kërcënime dhe sulme fizike, ndërsa një pjesë e stafit pedagogjik ka shprehur mbështetje për nxënësit dhe ka marrë pjesë në bllokada për t’i mbrojtur ata gjatë përplasjeve me policinë.
Qeveria franceze ka akuzuar partinë e majtë radikale La France Insoumise (LFI) se po nxit protestat. Në disa prej demonstratave janë shfaqur deputetë dhe kryetarë bashkish të kësaj force politike. Kreu i LFI-së dhe kandidati i saj për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, Jean-Luc Mélenchon, ka deklaruar se partia mbështet “metodat jo të dhunshme të luftës” dhe se shqetësimi i tij kryesor është niveli i përdorimit të forcës nga policia ndaj të rinjve.
Përballë përshkallëzimit, qeveria ka njoftuar se një numër shkollash do të kalojnë në mësim online, me synimin për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe mësuesve dhe për të ruajtur vazhdimësinë e procesit arsimor. Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, pritet të takohet të premten me përfaqësues të nxënësve për të diskutuar kërkesat e tyre.

