Kompozitori Adi Hila ka pranuar në dëshminë e tij në Policinë e Tiranës, se ka qenë ai që ka vendosur kamerat në banesë, por burime bëjnë me dije mohon që qëllimi i tyre të ketë qenë filmimi i momenteve intime.
Sipas burimeve të SYRI.net, në dëshminë e tij Hila ka deklaruar kamerat janë vendosur për arsye sigurie, pasi në zonën ku ndodhet banesa e tij kishin ndodhur vjedhje.
Për këtë arsye, ai pretendon se kishte vendosur kamera në çdo cep të pronës, si brenda ashtu edhe jashtë banesës, me qëllim mbrojtjen nga vjedhjet.
Në deklarimet e tij, Hila është shprehur se kamerat ishin instaluar që në vitin 2022, shumë kohë përpara publikimit të videove intime që kanë shkaktuar skandalin e ditëve të fundit. Sipas versionit të tij, bëhej fjalë për kamera të thjeshta, të cilat nuk kishin memorie për ruajtjen e pamjeve, por funksiononin online.
Ndërkohë, për publikimin e materialeve intime, Hila ka deklaruar se është vënë në dijeni nga disa miq të tij, të cilët e kanë informuar për daljen e videove.
Hetimet për rrethanat e regjistrimit dhe publikimit të materialeve vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë mënyrën se si pamjet kanë përfunduar në qarkullim publik.
Në rrëfimin e tij, Hila ka treguar se: “Kamerën e kam vendosur sepse fqinjëve iu vidheshin vazhdimisht banesat. Duke qenë se e kam ambient të rëndësishëm pune, kamerat i kam vendosur që nëse do të kishte tentativa vjedhjeje, të isha vigjilent. Në dijeninë time kanë qenë kamera që regjistronin dhe fshinin vetë. Nuk kam ndezur apo fikur asnjë kamera kur ka hyrë dikush në dhomën time. Gjithçka ka ndodhur aty dhe është parë, ka qenë me dëshirën e palëve. Nuk kam dijeni as si janë bërë këto regjistrime dhe për më tepër se si këto pamje kanë përfunduar në faqe +18. Jam i tronditur. Personat e përfshirë nuk më kanë fajësuar dhe e dinë që unë nuk kam bërë asnjë filmim me koshiencë”.
© SYRI.net