Kryetari i bashkisë së Mirditës, Albert Mëlyshi deklaron se harta e re territoriale e propozuar nga socialistët e kryeministrit Rama nuk do të jetë në shërbim të qytetarëve përkundrazi do të vështirësojë jetën e tyre.
I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ Mëlyshi argumenton pse kjo reformë nuk do të fuqizojë bashkitë, dhe nënvizon se do të thellojë ndarjen territoriale të 2015
“Ndryshe thuhet ndryshe bëhet. Në vitin 2014 – 2015 kur u miratua reforma e njëanshme territorial diskutimi ishte pakësimi dhe ulja e punonjësve nëpër bashki. Por ndodhi e kundërta. Numri i të punësuarve nëpër bashki u rrit.
Marrim një shembull.
Sipas propozimit të reformës së re elektorale të propozuar nga PS, Fushë Arrëzi do të bashkohet me Pukën. Si mund të fuqizohet kjo bashki duke iu shtuar dhe një bashki tjetër?
Do të ketë të njëjtën kosto shërbimi në Fushë Arrëz e Pukë, shërbime, të njëtjat shpenzime. Atëherë si fuqizohet bashkia e madhe e Pukës?! Nuk qëndron.
E vetmja forcë që mund të fuqizoheshin bashkitë në kontekstin financiar është ndërhyrja emergjente për ndryshimin e ligjit për financat vendore dhe decentralizimi.
Nëse një bashki do të vijojë me të njëjtat financa vendore, shto territore sa të duash po të njëjtat problematika dhe mungesë shërbimesh do të ketë. Ideja që paraqesin duke zvogëluar numrin e bashkive dhe zmadhuar territoret do fuqizohen bashkitë, e shoh si term se nuk shoh askund si mundësi fuqizimi. Mund të fuqizoheshin nëse bashkitë zvogëloheshin e menaxhonin territoret e tyre secila bashki. Vetëm po thellohet ndarja territoriale e 2015-tës, thotë Mëlyshi.
© SYRI.net