Përplasje masive në SHBA, 69 automjete aksidentohen në mes të mjegullës

Nga A2 CNN
2 Tetor 2026, 10:06 | Bota

Përplasje masive në SHBA, 69 automjete aksidentohen në mes

Një aksident masiv me 69 automjete është regjistruar në autostradën I-95 në Karolinën e Jugut, SHBA, duke shkaktuar disa të plagosur dhe bllokimin e trafikut në të dyja drejtimet.

Përplasja ndodhi të enjten në mëngjes në një urë mbi Liqenin Marion, që lidh qarqet Clarendon dhe Orangeburg. Sipas autoriteteve, në aksident u përfshinë 15 kamionë dhe 54 automjete të tjera.

Mjegulla e dendur dhe shikueshmëria e kufizuar dyshohet se kontribuuan në krijimin e një zinxhiri përplasjesh. Të paktën dy persona kanë marrë plagë të rënda, ndërsa një prej tyre u transportua me helikopter drejt spitalit.

Ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë në vendngjarje, ndërsa zjarrfikësit nxorën katër persona që kishin mbetur të bllokuar në automjetet e tyre.

Pavarësisht përmasave të aksidentit, autoritetet konfirmuan se nuk pati viktima.

Një dëshmitar i aksidentit, Noah Mandel, tha se pa një automjet që fillimisht nisi të nxirrte tym dhe më pas u përfshi nga flakët. Ai tregoi gjithashtu se disa persona kishin mbetur të bllokuar në automjetet e tyre.

Fakti që aksidenti ndodhi në një urë mbi Liqenin Marion e bëri situatën edhe më të rrezikshme. Sipas dëshmitarit, ishte fat që asnjë prej automjeteve nuk përfundoi në ujë.

Forcat e emergjencës qëndruan për disa orë në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të larguar automjetet e dëmtuara. Trafiku është rikthyer tashmë në normalitet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos