Debati mbi hetimet e SPAK dhe akuzat e opozitës u shoqërua mbrëmjen e djeshme me një përplasje verbale mes gazetares Klodiana Lala dhe deputetit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në studion e News24.
Gjatë diskutimit, Lala e lidhi përplasjen politike mes Bardhit dhe Belinda Ballukut me rezultatin e zgjedhjeve të vitit të kaluar në qarkun e Fierit, ku deputeti demokrat drejtoi fushatën e PD-së.
“Ju jeni në një përplasje me Belinda Ballukun, sepse ju zhveshi në Fier, ju la me gjysmë mandati”, i tha gazetarja Bardhit.
Me këtë metaforë, Lala iu referua rezultatit të PD-së në Fier, ku demokratët morën katër mandate në zgjedhjet e fundit. Sipas argumentit të gazetares, rezultati elektoral në Fier mund të ketë ndikuar në përplasjen politike mes Bardhit dhe Ballukut.
Bardhi iu përgjigj duke përdorur një koment personal ndaj gazetares: “Mua s’më zhvesh njeri, por mund të të zhveshë ty.”
Kjo ndërhyrje përshkallëzoi gjuhën e përplasjes, po ndërsa Bardhi vijoi me akuza në nivel personal ndaj gazetares, Lala bëri një tjetër deklaratë të fortë. "Të kam kërkuar unë 24 orë në Fier dhe nuk të gjeja dot", deklatoi gazetarja, për të përforcuar idenë e fushatës së dobët të bërë nga Bardhi në Fier.
Në zgjedhjet e fundit, PD siguroi katër mandate në qarkun e Fierit, e konsideruar si nje rezultat historik negativ ne këtë qark, ndërsa Bardhi ishte drejtues politik i fushatës së demokratëve.
