Nga Gëzim KABASHI
Mbrëmjen e së mërkurës, violinisti Florian Vlashi ishte protagonist i recitalit për violinë solo në Qendrën Kulturore “Gabriel Garcia Marquez” në Bogota.
Ai ndodhet në Kolumbi, së bashku me orkestrën Sinfonike të Galicisë në kuadër të “Festival Internacional de Musica Religiosa”.
Violinisti shqiptar, që punon e jeton që nga viti 1992 në Spanjë interpretoi vepra nga autorë të ndryshëm, në koncertin e titulluar “100 vjet violin solo”.
Në hyrje të koncertit, Vlashi u tha të pranishmëve se e lexoi veprën e Markezit, “100 vjet vetmi” në në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës, duke shtuar se “vite më vonë im atë Gjergj Vlashi, përktheu në shqip më shumë se 50 autorë hispanoamerikanë, mes të cilëve edhe Markezin”.
“Pra ky koncert, lind nga një histori personale, por është gjithashtu një nderim për artin, edukimin dhe letërsinë e madhe që na ka bërë ata që jemi sot – përfundoi koncertisti.
Bashkë me pjesë nga autorë të njohur si Quiroga, Ravel e Kurtag, Florian Vlashi solli për të pranishmit edhe veprën “Ajkuna kjan Omerin” shkruar nga muzikologu dhe kompozitori i ndjerë durrsak Ed Buharaja, e cila u duartrokit gjatë nga publiku.
Në pjesën e dytë të koncertit, violinisti nga Durresi luajti në violinë, i shoqëruar nga efektet elektronike, edhe dy vepra të tjera nga kompozitoret Cortizo dhe Infante.
Javën e kaluar, Florian Vlashi ishte i ftuar edhe në edicionin e tretë të Kuvendit Ndërkombëtar me temë “Kërkime etnomuzikologjike në Kalabri, vendi i artit” organizuar nga Konservatori i muzikës “Stanislao Giacomantonio” të Kozencës.
Në ditën e dytë të Kuvendit të organizuar pranë qytetit arbëresh të Kozencës u trajtuan instrumentet mes Kalabrisë dhe Mesdheut.
Në videokonferencë nga Spanja, artisti shqiptar Vlashi duke interpretuar në instrument, referoi “Harku, një udhëtim nga dhuna te tingulli hyjnor”.
Bashkë me aktivitetin ndërkombëtar, violinist Florian Vlashi është mjaft i njohur edhe për veprimtarinë intensive muzikore në Shqipëri, e veçanërisht në Durrës.
Lini një Përgjigje