E premte, 2 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

“Po luftoja për jetën time, por nuk doja të vdisnin të tjerët”, piloti i “Flybudai” rrëfen momentet e tmerrit në ajër

Piloti indian i avionit të kompanisë Flydubai, Smit Machchhar, ka treguar momentet dramatike kur u sulmua nga bashkëpiloti dhe, pavarësisht plagëve, arriti të hapte derën e kabinës për të lejuar pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të ndërhynin.

Avioni, me më shumë se 170 persona në bord, po fluturonte nga Dubai drejt Tel Avivit të mërkurën, kur rreth dy orë e gjysmë pas nisjes pësoi një rënie prej më shumë 5,200 metrash.

Reklamë

Machchhar rrëfeu se ishte rrëzuar në dysheme dhe po sulmohej, por kuptoi se avioni po humbiste lartësi dhe se duhej të vepronte menjëherë.

“Isha i shtrirë në dysheme, i plagosur, por i thashë vetes të bëja edhe një përpjekje të fundit për ta hapur derën nga brenda”, tha ai gjatë një video-telefonate me kryeministrin indian Narendra Modi.

Pas hapjes së derës, persona të tjerë hynë në kabinë dhe ndihmuan në neutralizimin e situatës. “Po luftoja për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk do të lejoja që të tjerët të vdisnin”, deklaroi piloti.

Pasagjerët dhe ekuipazhi arritën të merrnin kontrollin e situatës, ndërsa avioni u detyrua të devijonte drejt Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite, ku u ul në mënyrë të sigurt.

Kapiteni Machchhar u dërgua fillimisht në spital dhe më pas u transportua me avion drejt Abu Dhabit. Sipas autoriteteve indiane, ai është në gjendje të mirë dhe po rikuperohet.

Piloti, i cili ka 17 vite përvojë në aviacion, tha se përvoja e tij e ndihmoi të kuptonte menjëherë se çfarë po ndodhte me avionin.

“Mund ta kuptoj se çfarë po ndodh me avionin edhe me sytë mbyllur”, tha ai.

Kryeministri Narendra Modi e vlerësoi guximin dhe vendosmërinë e tij, duke thënë se “vendimmarrja e shpejtë e kapitenit shpëtuan jetën e shumë njerëzve”.

Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar Machchhar si një “hero të vërtetë”.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.