Zjarri pranë aksit Lezhë-Milot, nis ndërhyrja nga ajri me helikopter
Zjarri që ka rënë prej mbrëmjes së së enjtes në malin e Manatisë, pranë aksit të vjetër Lezhë-Milot, vijon të jetë aktiv edhe mëngjesin e sotëm.
Era e fortë ka ndikuar në përhapjen e flakëve në terren, duke vështirësuar punën e ekipeve që ndodhen në zonë. Forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave, duke mbajtur nën monitorim situatën dhe duke marrë masa për të shmangur afrimin e flakëve drejt zonave të banuara.
Prej orës 08:00 ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter. Mjeti ajror po kryen hedhje uji në pjesët e prekura, me synim frenimin e përhapjes dhe izolimin e vatrave aktive.
Ndërkohë, ekipet në terren vijojnë punën për kontrollin e situatës, ndërsa banorët e zonës mbahen në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të situatës.




