Qytetarët e Bashkisë së Memaliajt janë mbledhur sot para Kryesisë së Kuvendit duke protestuar kundër reformës së re territoriale.
Siç shihet në pamjet e siguruara nga Top Channel, disa qytetarë kanë dalë para ambienteve të kryesisë me pankarta për të kundërshtuar bashkimin e Bashkisë së Memaliajt me atë të Tepelenës.
Ndërkohë brenda ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, po zhvillon mbledhje Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën publike, ku po trajtohet Reforma e re Territoriale.
Sakaq, i pranishëm në protestë është edhe kryetari i Bashkisë së Memaliajt, Albert Malaj, i cili ditën e djeshme me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, i bëri thirrje qytetarëve të bashkoheshin në kryeqytet.
Postimi i plotë i Albert Malajt:
Të dashur Memaljot kudo që ndodheni!
Nesër, në orën 10:00, në Komisionin për Çështjet Ligjore të Kuvendit do të shqyrtohet çështja që lidhet me të ardhmen e Bashkisë Memaliaj, në kuadër të projektit për reformën territoriale.
Si Kryetar i Bashkisë, dua t’ju bëj sot një apel të rëndësishëm:
Në këto momente, Memaliaj më shumë se kurrë ka nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tuaj!
Vendlindja jonë e dashur ndodhet përballë një vendimmarrjeje që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme për të ardhmen e saj.
Memaliaj, ky territor historik, i ngritur dhe zhvilluar mbi sakrificat e bijve të saj, po përballet me një moment të rëndësishëm për të ardhmen e tij.
Çdo ndryshim në statusin dhe organizimin territorial të bashkisë prek drejtpërdrejt mënyrën e përfaqësimit, ofrimit të shërbimeve dhe qeverisjes vendore.
Banorët e Memaliajt kanë të drejtën të shprehen dhe të mbrojnë interesin e komunitetit të tyre dhe të ardhmen e njësisë së tyre vendore.
Në këto momente, zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet.
Kushtetuta shqiptare dhe Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore janë referenca të rëndësishme për të drejtat dhe funksionimin e qeverisjes vendore.
Na duhet vetëm të mblidhemi nesër, në orën 09:30, përpara Kryesisë së Kuvendit, aty ku do të shqyrtohet fati i Bashkisë sonë.
T’u tregojmë të gjithëve se populli Memaljot është i bashkuar në mbrojtje të Bashkisë Memaliaj dhe do të kërkojë me këmbëngulje që zëri i tij të dëgjohet!
Një thirrje e veçantë është edhe për të gjithë memaljotët që jetojnë, punojnë dhe studiojnë në Tiranë.
Mirë u takofshim nesër në Tiranë!
Top Channel