E ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” me Stenaldo Mëhillin, ka qenë gazetarja e njohur Klodiana Lala, për të diskutuar më shumë mbi ngjarjet më të fundit të ndodhura në vendin tonë, që nga skandali i ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, e deri tek përgjegjësia e kryeministrit në këtë rast. Por gazetarja është ndalur edhe tek rasti i rëndë i ndodhur së fundmi ku janë publikuar disa video erotike nga kompozitori Adrian Hila me persona të tjerë publikë…
Unë udhëtoj shpesh jashtë vendit në Britaninë e Madhe, për shkak të familjes dhe jam rrahur me shumë ngjarje e histori sa i përket njerëzve të botës së artit dhe kulturës. Por kam një qasje komplet tjetër në lidhje me historinë që është bërë kryefjala e ditëve të fundit. Thirrja e parë është për çdo njeri në këtë vend, që nuk duhet t’i shpërndani kurrësesi ato video në celular, sepse po ushqejmë egon e një maaniaku për të përhapur sa më shumë perversitetin e tij. Personalisht kam refuzuar t’i hap ato video, edhe kur një e njohur e imja m’i dërgoi dhe i kam fshirë menjëherë dhe i kam thënë në mënyrë kategorike nuk duhet të më dërgosh më video të tilla. Së dyti, aty jemi përpara disa veprave penale. Një, a janë filmuar gratë dhe vajzat me konsensus dhe me dëshirën e tyre, pra a kanë qenë në dijeni? Me çfarë më kanë thënë burime pranë policisë që po e hetojnë rastin, nuk kanë qenë në dijeni. E dyta, a mund të përdoren këto çështje tërësisht private për ushqimin e opinionit publik? Absolutisht që jo. Sepse në fund fare viktimë është gruaja dhe vajza. Secili zgjedh të bëjë ç’të dojë në krevatin e vet dhe në dhomën e vet të gjumit, prandaj është privatësi dhe prandaj është intime. Do të kishim një diskutim tjetër nëse kjo mënyrë do ishte përdorur për shantazh apo për përfitime, por unë ende nuk e kam këtë të dhënë. Së treti, ne po bëhemi bashkëfajtorë. Pra dikush i ka filmuar dhe kur them ne, ata që po i shpërndajnë po bëhen bashkëfajtorë duke i shpërndarë në mënyrë të paautorizuar. Pra ke që nga keqpërdorimi i pajisjeve, që nga ndërhyrja në jetën private të tjetrit, që nga shpërndarja në mënyrë të paautorizuar. Dhe dëmi publik, dëmi personal, dëmi familjar dhe dëmi i madh që u shkaktohet këtyre viktimave, se unë i konsideroj viktima, është absolutisht i jashtëzakonshëm dhe i pallogaritshëm. Aty mund të ketë secila nga ato gra dhe vajza, është gjendur në atë shtrat për arsyet e veta që nuk dua fare t’i gjykoj. Por ama gjykoj atë maniakun që u ka vënë kamerën tek koka pa i informuar, pa miratimin e tyre, dhe ata qindra maniakë të tjerë të cilët i shpërndajnë ato pamje dhe qeshin, por harrojnë në një moment që nesër mund të jetë edhe motra e tyre, edhe vajza e tyre, edhe gruaja e tyre apo edhe një e afërme e tyre. A ka evojë për një debat publik për frustrimin seksual që ka kjo shoqëri? Pa diskutim! A duhet ta bëjnë këtë intelektualët? Pa diskutim! Por nuk mund të bëhet gjithëkush moralist që është pas një tastiere. Çdo njeri në këtë vend, për shkak të zhvillimeve teknologjike, është i rrezikuar edhe në atë që e konsideron si vendin e tij më të sigurt, që është banesa e vet. Dhe këtë duhet të kuptojnë shqoptarët. Nuk dua të mbroj askënd. Secila nga ato gra dhe vajza duhet të ketë kurajon të dalë dhe të sqarojë pozicionin e vet. Por nuk mund të bëhemi ne shkak që ato të shkojnë drejt një depresioni, apo ndoshta, uroj të mos e bëjnë këtë gjë, drejt një tentative për t’u vetëvrarë. Unë kam ndierë thjesht neveri për maniakët që kanë filmuar të tjerët pa dijeninë e tyre. Policia duhet të dalë në një version përfundimtar në bashkëpunim me prokurorinë, se kush e bëri dhe për cilat qëllime.