Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për dy nga temat që janë në qendër të vëmendjes në Shqipëri: arrestimi i shefes së një prej institucioneve më me peshë në vend, Vlora Hysenit e cila akuzohet për shpërndarje të sekreteve shtetërore, dhe investimet në Zvërnec.
Në intervista të dhëna për mediat e huaja, Rama u është drejtuar demokratëve amerikanë duke theksuar se nuk është e drejtë që nëse ata nuk e mposhtin Trumpin në Amerikë, të vijnë në Shqipëri për t’u hakmarrë.
Duke kundërshtuar sloganet e protestës si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Shqipëria për shqiptarët”, Rama shtoi: “Nëse do të sillnit kapital të huaj në Gjermani, a do të thoshit atëherë se Gjermania po shitej?”
“Unë përfaqësoj interesat e vendit tim dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”, theksoi më tej kreu i qeverisë shqiptare për Politico. Ai tha gjithashtu se negociatat mbi projektin ishin ende në vazhdim dhe se ata do të vlerësonin ndikimin e tij në mjedis.
Ndërkohë në intervistën e dhënë për median gjermane WELT, i pyetur për korrupsionin në Shqipëri dhe për arrestimet e zyrtarëve të lartë, Rama u ndal te puna e institucioneve të drejtësisë dhe veçanërisht te SPAK-u. Pyetja drejtuar Ramës iu referua edhe arrestimit të ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit.
Në lidhje me këtë situatë, Rama theksoi se në Shqipëri drejtësia po lufton korrupsionin, ndërsa shtoi se nga momenti kur është krijuar Shqipëria si shtet asnjë ministër nuk ishte paraqitur ndonjëherë përpara një prokurori të pavarur.
“Shqipëria ishte një vend ku korrupsioni ishte sistemi. Sot Shqipëria është një vend ku sistemi lufton kundër korrupsionit. Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit. Para se të merrja detyrën, që nga viti 1912, kur u krijua shteti ynë, asnjë ministër në Shqipëri nuk ishte paraqitur ndonjëherë përpara një prokurori të pavarur. Jam krenar që vendi ynë tani është në gjendje t’i mbajë njerëzit përgjegjës, kudo që ndodhen. Kjo është përgjegjësia ime politike.”, u shpreh kryeministri.
Pjesë nga intervista
WELT: Në Shqipëri korrupsioni mbetet ende një problem. Drejtoresha e shërbimit sekret është arrestuar, ndërsa ka edhe shumë raste të tjera hetimesh dhe dënimesh. Çfarë po bëni kundër tij?
Rama: Shqipëria ishte një vend ku korrupsioni ishte sistemi. Sot Shqipëria është një vend ku sistemi lufton kundër korrupsionit. Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit.
WELT: Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, nën mbikëqyrjen e SHBA-së dhe BE-së, po vepron ashpër ndaj zyrtarëve të lartë. A po funksionon?
Rama: Pjesërisht është e dhimbshme. Jo të gjitha procedurat përputhen me standardet evropiane, sipas mendimit tim. Shqipëria ka normën më të lartë të të burgosurve në paraburgim në kontinent. Por kjo është pjesë e një procesi të ashpër dhe të pashmangshëm. Për këtë duhet të marrim vlerësim.
WELT: Ka zëra që kërkojnë nga ju përgjegjësi politike – duke pasur parasysh arrestimet dhe dënimet e personave pranë jush…
Rama: Para se të merrja detyrën, që nga viti 1912, kur u krijua shteti ynë, asnjë ministër në Shqipëri nuk ishte paraqitur ndonjëherë përpara një prokurori të pavarur. Jam krenar që vendi ynë tani është në gjendje t’i mbajë njerëzit përgjegjës, kudo që ndodhen. Kjo është përgjegjësia ime politike.
Dita e sotme përkon me 125 protesta të mbajtura në zemër të Tiranës , aty ku prej katër muajsh qytetarë të shumtë bëhen bashkë duke kërkuar me këmbëngulje ndryshim të qeverisë aktuale dhe ndryshim të ligjit për investimet strategjike. Shqiptarët u revoltuan dhe u bënë pasi u mësua se në tokën e Zvërnecit do të investohej dhe është planifikuar që të zhvillohet një nga projektet më me peshë për Shqipërinë, që do të përmirësojë ekonominë e vendit.
Mirëpo njëzëri shqiptarët kundërshtojnë që tokat e tyre të shfrytëzohen nga të huajt duke kërkuar që shteti shqiptar të heqë dorë nga bashkëpunimi me palën amerikane, konkretisht dhëndrin e Donald Trump, i cili është financuesi kryesor i këtij investimi strategjik.
