Aktualitet

Nga Dubai drejt Belgjikës, ekstradohet Denis Matoshi!

Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, i njohur edhe me pseudonimet “Dizdari”, “Alduth” dhe “Shqiptari i gjatë”, u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës, duke u dërguar në një burg belg.

Ministrja e Drejtësisë, Annelies Verlinden, konfirmoi se ekstradimi u realizua në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Këtë vit, drejtësia belge e dënoi me 10 vite burg e 80 mijë euro gjobë, në kuadër të dosjes së trafikut të drogës “Yaramis”. Gjithashtu, gjykata urdhëroi konfiskimin e rreth 7.5 milion eurove, të konsideruara “të ardhura kriminale të lidhura me të”.

Referuar autoriteteve në Belgjikë, 37 vjeçari është një nga drejtuesit e organizatës kriminale shqiptare “Kompania Bello”. Prej vitesh jetonte në Dubai ku u arrestua rreth dy vite më parë, pas kërkesës së autoriteteve belge për ekstradimin.

Prokuroria e lidh me organizimin e tërheqjes së ngarkesave të kokainës nga porti i Antwerp-it. Hetimet bazohen edhe në komunikime të zbërthyera nga rrjeti Sky ECC.

Sipas dosjes së prokurorisë, bashkëpunëtorë të tij, dyshohet se kryen edhe transferta parash për Matoshin në vitet 2020 e 2021, me vlerë rreth 1.75 milion euro.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.