Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë kanë nisur komunikimet me subjektet politike për të gjetur një marrëveshje rreth zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Kurti tha se ditët në vijim do të jenë vendimtare për arritjen e një dakordimi, ndërsa shprehu synimin që Kosova ta ketë presidentin e ri gjatë javës së ardhshme.
“Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje, që javën e ardhshme të kemi president”, tha Kurti.
Përpjekjet për një marrëveshje zhvillohen në një kohë kur afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po shkon drejt përfundimit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se procedura duhet të përmbyllet deri më gjashtë tetor, duke e vendosur skenën politike përballë një kohe të kufizuar për të gjetur kompromisin.
Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, vendi përballet me një tjetër proces zgjedhor.
Në këtë situatë, vëmendja është përqendruar te bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare, pasi për zgjedhjen e presidentit nevojitet një numër i caktuar votash që nuk sigurohet vetëm nga mazhoranca.
Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit, por ka lidhur këtë proces me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. PDK kërkon që të rishikohet mandati dhe mënyra e funksionimit të Gjykatës Speciale.
Ndërkohë, edhe Aleanca ka pasur kërkesa të tjera përpara se të ulet në tryezën e bisedimeve me Vetëvendosjen.
Me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Vetëvendosje kishte zhvilluar më herët negociata dhe ishte arritur një dakordim për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president. Megjithatë, kandidatura nuk mori mbështetjen e nevojshme në Kuvend dhe Sejdiu u tërhoq nga gara.
Tashmë, me afrimin e afatit kushtetues, presioni politik për arritjen e një marrëveshjeje është rritur. Nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët dhe presidenti nuk zgjidhet, Kosova do të drejtohet sërish drejt zgjedhjeve.
Kurti ka bërë të ditur se synimi mbetet që kjo çështje të zgjidhet përmes marrëveshjes politike dhe që javën e ardhshme Kosova të ketë presidentin e ri.












