Ndërkohë që i gjithë publiku duket i zënë me skandalin e videove intime të publikuara ku shfaqen personazhe publikë, një skandal mjaft i rëndë ka dalë në dritë nga SHISH dhe dosja e Ergys Agasit.
Gazetari Neritan Sejamini teksa ishte i ftuar në “Opinion”, tha se ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni kishte nën survejim familjarët e dy prokurorëve të posaçëm, Altin Dumani e Bledar Maksuti të cilët kanë në dorë dosjen e Ergys Agasit.
“Drejtoresha e SHISH-it, ka survejuar familjarët e prokurorëve që hetonin Agasin. Është diskutuar edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Çështja publike është se çfarë bëjnë institucionet shtetërore me të gjitha të dhënat që kanë. Kemi arritur në momentin kur SHISH-i që ka për detyrë edhe informimin, krimin, terrorizmin e këto gjëra… kur kemi institucion që punon për krimin, është e kotë të flasim për IP, dhoma hoteli etj. Sepse kemi shtetin që duke përdorur informacionin, mund të dëmtojë lirinë jetën dhe çdo gjë tjetër”- tha Sejamni duke zbuluar kështu një tjetër detaj të errët që tregon inkriminimin e një prej institucioneve më themelore të shtetit. Versus.al

