Edon Zhegrova ka folur për paraqitjen me Kosovën, objektivat me përfaqësuesen dhe të ardhmen e tij te Juventusi, duke theksuar se dëshiron të lërë gjurmë me klubin italian.
Sulmuesi anësor u aktivizua vetëm për rreth 15 minuta në barazimin 0-0 të Kosovës ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve. Zhegrova e pranoi se vendimi për ta nisur ndeshjen nga stoli i takoi trajnerit, ndërsa shprehu dëshirën për të pasur më shumë minuta në sfidën e ardhshme.
“Të nisja nga stoli ishte vendim i trajnerit. Mezi pres ndeshjen tjetër, shpresoj të filloj dhe të luaj”, u shpreh Zhegrova.
Kosova do të përballet në ndeshjen e radhës me Austrinë, e cila kryeson grupin. Përballë kësaj sfide, Zhegrova shfaq optimizëm.
“Unë besoj në ekipin tim kombëtar. Kemi lojtarë cilësorë, do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kemi një shans të mirë për të fituar. E njëjta gjë vlen edhe për grupin. Do të bëjmë gjithçka për të përfunduar të parët”, tha ai.
Në një intervistë për Sportmediaset, Zhegrova foli edhe për eksperiencën e tij te Juventusi, duke nënvizuar kënaqësinë që është pjesë e klubit torinez.
“Jam shumë i lumtur që jam te Juve. Është një klub i shkëlqyer dhe nuk mund të mos jem i lumtur me shokët e mi të ekipit, trajnerin, stafin dhe të gjithë skuadrën. Është një privilegj për mua të jem pjesë e këtij klubi dhe do të jap më të mirën time sa herë që zgjidhem të luaj për Juven”, deklaroi futbollisti kosovar.
Gjatë merkatos së verës, Zhegrova ishte përfolur për një largim nga Juventusi, por në fund vendosi të qëndrojë në Torino.
“Qëndrova sepse e dua këtë klub dhe dua të arrij diçka të madhe me të. Kur më blenë, isha vërtet i lumtur dhe nuk doja të largohesha nga Juventusi në këtë mënyrë. Doja të qëndroja dhe tani dua të bëj gjëra të mëdha për këtë klub”, u shpreh ai.
Për momentin, Zhegrova nuk është pjesë e listës së Juventusit për Europa League, një vendim që ai ia atribuon trajnerit Luciano Spalletti.
“Është zgjedhja e Spallettit. Çfarëdo që të vendoset, unë do të bëj më të mirën time për klubin dhe respektoj çdo vendim”, tha Zhegrova.
I pyetur nëse Juventusi mund të fitojë titullin kampion në Itali, sulmuesi kosovar u shfaq optimist.
“Kemi një ekip të shkëlqyer, kemi një skuadër të shkëlqyer. Do ta marrim ndeshje pas ndeshjeje, por me qëllimin për të fituar çdo ndeshje që luajmë. Mendoj se kemi cilësinë, pastaj në fund do të nxjerrim përfundimet”, deklaroi ai.
Në fund, Zhegrova foli edhe për rivalitetin me Interin, kampionin në fuqi të Italisë.
I pyetur nëse Juventusi është më i fortë se Interi, ai u përgjigj me një buzëqeshje: “Nuk dua të flas për këtë, por Juventusi është gjithmonë më i mirë.”

