E premte, 2 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Reforma territoriale përplas PD me PS në Komisionin e Ligjeve, Boçi: T’i japim fund kësaj maskarade, po zbrazni vendin

Shqyrtimi i reformës administrativo-territoriale është shoqëruar me debate dhe replika të forta në Komisionin e Ligjeve, ku opozita ka kundërshtuar mënyrën dhe ritmin e ndjekur për shqyrtimin e draftit.

Në qendër të debatit ishte edhe mënyra e administrimit të nismave të paraqitura në Kuvend, si dhe konsultimi me bashkitë që preken nga ndryshimet e propozuara.

Reklamë

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, akuzoi mazhorancën se i ka dhënë përparësi nismës së saj, ndërsa, sipas tij, propozimet e opozitës nuk janë trajtuar me të njëjtin ritëm.

“Ka Shqipëria pa fund probleme. Këto të bashkive kanë një problem, i janë drejtuar Kuvendit, jo Maznikut. I janë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Është binjakëzuar me Nikon? Ja sa ka ardhur ligji e keni patur furrën e nxehtë, më 31 gusht e çuat me vrap, direkt. Ai nuk ka pritur fare të vijë këtu, hyri dhe doli menjëherë. Po shkresat e mëparshme. Këta të reformës territoriale nuk dinë gjë, edhe ne të ligjit po në gjumë. Nuk kemi ardhur për të folur për peshqit. Në Lushnje që ngordhën. Kur i dërgojnë këto nisma Kuvendit, të paktën t’i marrim ne. Gjithë kryetarët e bashkisë në rresht për një, se thotë zotëria me 9 apo 10 të tjerë. Datë 31 e sollën këta, këtu e vutë në lëvizje pilafin, apo ishte me lëng. Kur ne na thoni për dy javë, e jona duhet të flejë pas gjumit. Këtu nuk paska fjetur gjumë, në bashkinë e Divjakës, tava në furrë. Jeni ju kuzhinier që gatuani më mirë. Pse nuk u bë brenda ditës edhe e jona. Apo kishte punë të tjera Niko?”, tha Korreshi.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u përgjigj se edhe nisma e opozitës është përcjellë për konsultim te bashkitë, duke argumentuar se procedura e ndjekur nga Kuvendi ka qenë e njëjtë.

“Po më pyesni pse nuk e ka bërë për nismën tuaj. Nga Kuvendi i Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm më ka bërë me dije se është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, siç e keni kërkuar ju. Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit me ua nis të gjitha bashkive”, tha Peleshi.

Në debat u përfshi edhe deputeti demokrat Gent Strazimiri, i cili akuzoi Manjën se po vijon procedurën pa pritur administrimin e plotë të qëndrimeve të pushtetit vendor. Strazimiri kërkoi që të dyja nismat të shqyrtohen së bashku dhe ngriti pretendimin se po veprohet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.

“Kushtetuta ta ka mbyllur gojën, të ka lidhur duar e këmbë me nenet. Ti duhet ta kishe mbyllur këtë mbledhje që herës që të thashë unë. Të janë shprehur me shkrim këshillet bashkiake që nuk e duan. Ju dhe rreni. Duhet të dëgjojmë Maznikun”, tha Strazimiri.

Manja iu përgjigj: “Mos e dëgjoni, e dëgjojmë ne”.

Strazimiri vijoi duke kërkuar që të pritet përfundimi i konsultimeve dhe që nismat e opozitës të shqyrtohen së bashku me atë të mazhorancës.

“Duhet të prisni dhe të vijnë dhe nismat tona, të bëhen bashkë. Ju thoni me datë 8 kjo ka mbaruar. Je në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Këto që po themi janë argumente që të mund të kuptosh se je në një kohë që nuk e drejton më ky yll shtetin, por ato dy librat që ke aty. Je aty të zbatosh ato libra që ke aty dhe jo si të duash ti. 15 bashki ishin që interesoheshin, tani janë bërë 16, edhe e Krujës“, tha Strazimiri.

Në diskutim u përfshi edhe deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, i cili e lidhi reformën me zhvillimet demografike dhe lëvizjen e popullsisë në territor.

“Sot duhet ta shohim situatën me sytë e Evropës. Ka vende që përpiqen të japin fonde për të afruar njerëzit në vendet e tyre, si e si ata të rikthehen në territoret e tyre, ndërsa ju me këtë projektligj po realizoni kërkesën tuaj si e si ata të largohen, ta zbrazni territorin. T’i japim fund kësaj maskarade, të hyjmë në shinat e ligjshmërisë dhe Kushtetutës, të presim kohën e konsultimeve të projektligjit të dorëzuar nga Partia Demokratike dhe më pas të jetë seanca ajo që vendos.”

Nga mazhoranca, deputetja Aulona Bylykbashi argumentoi se procedura e ndjekur nga Kuvendi ka qenë në përputhje me rregullat dhe se projektligji është dërguar për konsultim në bashkitë e prekura.

“Ajo tek e cila do të qëndroja ishte futja e kësaj mbledhjeje në procedurën e saj normale. Ndoja foli për një shkelje të procedurës të depozituar nga kolegët e PS. Asgjë të vërtetë nuk gjeta te diskutimi i tij, projektligji është dorëzuar në Kuvend në datën 30 dhe me kërkesë të nismëtarëve, Kuvendi ka bërë vetëm procesin administrativ të delegimit dhe të dërgimit të kësaj nisme nëpër bashki të cilat preken nga kjo reformë. Është bërë një tur i tërë dëgjesash në këto bashki. Ligji është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë dhe ngelet në vullnetin e çdo deputeti të marrë ose jo dijeni kur është publik. Pretendimi i kolegut që nuk ka marrë dijeni për këtë projektligj nuk qëndron. Duhet të jemi të duruar, të dëgjojmë rezultatet e opinioneve të dhëna për të kuptuar se si qëndron historia, cilat nga bashkitë kanë qenë pro, cilat kundër dhe pas kësaj të gjithë ne do të kemi mundësinë edhe t’i administrojmë këto dokumente. Nuk jemi në fazën e të folurit në parim, jemi në fazën e njohjes me opinionet. Kur të kalojmë në fazën e diskutimit në parim, secili nga ne mund të mbajë një qëndrim.”

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.