Një shtetase braziliane ka përfunduar në prangat e Policisë së Shkodrës, pasi dyshohet se kishte vënë në dispozicion të veprimtarive kriminale apartamentin që kishte marrë me qira në lagjen “Ahmet Haxhia”.
Policia bën me dije se operacioni i koduar “Rent home 10” çoi në arrestimin e 29-vjeçares L. S., shtetase braziliane, si dhe të 40-vjeçarit N. H., banues në Shkodër, i cili dyshohet se përfitonte nga aktivitetet e kundërligjshme.
Sipas uniformave blu, gjatë ndërhyrjes në apartament u konstatua se ambienti ishte përshtatur për ushtrimin e prostitucionit, ndërsa dyshohet se aty kryhej edhe shitja e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi sasi të dyshuara si kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe një shumë parash në euro dhe lekë.
Në momentin e ndërhyrjes në apartament u kap edhe 40-vjeçari N. H., i cili, sipas policisë, dyshohet se ka përfituar nga veprimtaritë e kundërligjshme që zhvilloheshin në ambient.
Operacioni erdhi pas disa ditësh hetime nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, me qëllim dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal.













