Në tetor kombëtarja e vajzave në futboll do të ketë mundësinë të shkruajë me gërma të arta historinë, pasi për herë të parë do të luajnë në ‘play-off’ të Botërorit. Ndeshja e parë kundër Uellsit do të jetë me 9 tetor dhe e kthimit 4 ditë më pas, me 13 tetor, ndërsa për këto duele është shpallur edhe lista me futbollistet e grumbullluara.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima do të nisë grumbullimin të dielën në Shkodër, ku do të vijojë përgatitjet për dy sfidat e këtij raundi. Trajneri do të ketë në dispozicion edhe futbollistet e eikthyera si Sara Maliqi, Endrina Elezaj, Arvina Nadiar Islami, Klaudia Borci, Florentina Kuqi dhe Qëndresa Krasniqi. Ndërsa mungesë e rëndësishme është mbrojtësja Arbenita Curraj, e cila nuk do jetë pjesë e ekipit për shkak të një dëmtimi.

Ndeshja e parë do të luhet në “Loro Boriçi” më 9 tetor, në orën 18:00, ndërsa sfida e kthimit do të zhvillohet më 13 tetor, në orën 20:15 (CET). Hyrja në stadiumin “Loro Boriçi” do të jetë falas dhe ndeshjet do të transmetohen live në FSHF Tv.

Lista e plotë

Portiere: Antigoni Hyska, Rajmonda Spahiu, Klesjana Spaho

Mbrojtëse: Rexhina Maxhalaku, Sara Maliqi, Alma Hilaj, Endrina Elezaj, Arbiona Bajraktari, Klea Hamonikaj, Xhesika Ndoj, Leonora Dedgjonaj

Mesfushore: Arvina Nadiar Islami, Ezmiralda Franja, Megi Doçi, Ilarja Zarka, Qëndresa Krasniqi, Mikaela Metalla, Mesuare Begallo, Vanesa Levenaj, Gresa Berisha

Sulmuese: Fortesa Berisha, Valentina Troka, Klaudia Borci, Florentina Kuqi

Si vijon faza play-off?

Për të shkuar në Botëror Shqipëria fillimisht duhet të eliminojë në përballjen e dyfishtë Uellsin, që quhet ndryshe edhe gjysmëfinale. Më pas kush kualifikohet luan finalen e ‘play-off’ kundër fituesit të çifti Rumani-Norvegji.