Aktualitet

I still want to live – Anisa Kushta

Anisa Kushtën shumë prej jush mund ta kenë parë në rrjetet sociale, përmes statuseve të saj plot humor dhe ironi, ku shpesh komenton zhvillime sociale apo fenomene të përditshme. E njohur për humorin e saj të hollë dhe fin, Anisa po përballet sot me një nga betejat më të vështira të jetës së saj: luftën me kancerin.

Por përtej diagnozave, trajtimeve dhe termave mjekësorë, është një njeri që po lufton fort për jetën. Vetë Anisa ka publikuar në Instagram një shkrim, ku rrëfen vështirësitë që po kalon, emocionet e saj dhe dëshirën e fortë për të jetuar…

Unë ende dua të jetoj.

Nuk di si ta shpjegoj çfarë do të thotë të jetosh në një trup që vazhdimisht të kujton se po të tradhton. Dhimbja është bërë aq e zakonshme, sa ndonjëherë nuk e di më ku mbaron ajo dhe ku filloj unë. Ka një lloj dhimbjeje që të bën të ndiesh sikur koka do të të çahet më dysh, dhe një tjetër që të bën të ndiesh sikur kockat nuk e mbajnë dot as peshën e lëkurës sate.

Zgjohem e lodhur, bie të fle e lodhur dhe orët në mes i kaloj duke u marrë vesh me trupin tim—duke u përpjekur të ngrihem, të eci, të ha, të marr frymë përmes një tjetër vale dhimbjeje dhe të mos më zërë paniku sa herë që ndiej diçka ndryshe. Jam e rraskapitur nga sëmundja.  Por edhe më shumë më rraskapit fakti që duhet të jem e vetëdijshme për të çdo sekondë.

Gjithçka nisi me një gjëndër.

Dhe, disi, jeta ime u mbush me kancer, tumor në tru, operacione, radioterapi, kimioterapi, dhoma spitali, biopsi, tumore në kocka, ekzaminime, komplikacione, infeksione, mpiksje gjaku, dhimbje dhe më shumë diagnoza nga sa e kisha imagjinuar se mund të mbante një njeri. Ajo jam unë. Tani e ndiej me dhimbje sa shumë gjëra mund t’i marrin si të mirëqena njerëzit e shëndetshëm:

Të ngrihesh nga shtrati pa menduar për këtë.

Të kalosh nga njëra anë e dhomës në tjetrën.

Të bësh plane pa pyetur veten nëse do të jesh mjaftueshëm mirë për t’i realizuar.

Të përfytyrosh një të ardhme pa llogaritur menjëherë nëse do të  jesh ende këtu për ta jetuar.

Përbrenda, ende ndihem si një grua dyzetvjeçare që dëshirontë bëjë plane. Të ulet në një kafene. Të pijë kafe. Të lexojë me orë të tëra. Të qeshë derisa t’i dhembë barku. Të shqetësohet për gjëra të parëndësishme. Mendja ime ende dëshiron një jetë. Trupi im ndonjëherë më duket shumë më i plakur—sikur t’i përkiste dikujt që ka luftuar për një kohë tepër të gjatë.

E urrej që kam nevojë për ndihmë. E urrej që nuk mund t’i besoj trupit tim. E urrej që edhe të ecurit mund të duket si një arritje. E urrej të mendoj për vdekjen. E urrej të pyes veten nëse një dhimbje e re është thjesht dhimbje apo diçka më e rëndë.

Dhe kam frikë.

Kam frikë nga dhimbja. Nga ekzaminimi i radhës. Nga dobësimi i mëtejshëm. Nga ajo që do të përjetojë familja ime nëse unë nuk ia dal. Më është dashur të përballem me vdekjen shumë më nga afër sesa duhet t’i ndodhë kujtdo. Mund të flas për të, të bëj shaka me të dhe të shkruaj për të. Por kjo nuk do të thotë se e kam pranuar. Nuk e kam pranuar.

Ndonjëherë jam e tmerruar.  Ndonjëherë jam e tërbuar. Ndonjëherë e urrej trupin tim për atë që më ka bërë. Ndonjëherë ndiej mllef ndaj njerëzve që ankohen për probleme të zakonshme, sepse do të jepja pothuajse gjithçka që të kisha sërish një problem të zakonshëm. Dhe ndonjëherë jam thjesht aq e lodhur, sa nuk gjej fjalë.

Jam zemëruar edhe me Zotin. Është e vështirë ta pranoj, sepse besimi im është një nga gjërat që më ka mbajtur gjatë gjithë kësaj. Por besimi nuk ka nënkuptuar kurrë se kam pushuar së pasuri frikë apo së qeni e zemëruar. Ndonjëherë lutja është gjithçka që kam. Ndonjëherë besoj se Zoti është ende aty, edhe kur nuk e kuptoj çfarë po ndodh. Ndonjëherë jam thjesht e tërbuar dhe pyes pse duhet ta duroj gjithë këtë.

Mendoj se të dyja mund të jenë të vërteta. Mund të besoj dhe prapë të jem e tmerruar. Mund të lutem dhe prapë të jem e zemëruar.  Mund të kem shpresë dhe prapë të kaloj ditë të tmerrshme.  Nuk dua që njerëzit të mendojnë se jam pafundësisht e guximshme, apo se e kam pranuar fatin tim me dinjitet. Nuk e kam pranuar.

Kam qarë, më ka zënë paniku, kam humbur durimin, jam bërë e padurueshme dhe kam qenë tepër e lodhur për të luftuar. Nuk dua gjithmonë fjalë inkurajuese. Ndonjëherë dua vetëm që dikush ta kuptojë: kjo është e vështirë.Mund të bëj shaka, të jem sarkastike, të flas për libra dhe të sillem krejt normalisht—pastaj, pesë minuta më vonë, të shtrihem duke pyetur veten edhe sa mund ta përballojë trupi im këtë.

Të dyja janë të vërteta.  Jam e sëmurë, e frikësuar dhe e zemëruar. Por jam ende edhe vetvetja. Marrëdhënia ime me shpresën ka ndryshuar. Nuk besoj më se duhet të bëj sikur gjithçka do të rregullohet me magji. Ndonjëherë shpresa më duket si mohim, sikur vazhdon të ushqejë mundësi që realiteti tashmë i ka marrë.  Ndoshta pranimi është pjesë e shërimit. Ndoshta shpresa ndonjëherë e shtyn për më vonë dhimbjen që sjell të kuptuarit e asaj që është humbur.

Shqetësohem për macen time. Qesh me gjëra pa kuptim. Mendoj për librat. Më ka rëndësi kafeja. Ato copëza të vogla normaliteti tani kanë për mua më shumë kuptim se kurrë më parë. Nuk e kuptoja sa e çmuar ishte një ditë e zakonshme, derisa ditët e zakonshme nuk mund t’i merrja më si të mirëqena. Por tani shpresa është edhe më e vogël, edhe më këmbëngulëse.

Ndonjëherë është thjesht dëshira për t’u zgjuar nesër. Edhe një ditë e mirë. Edhe një libër. Edhe një e qeshur. Edhe një bisedë absurde. Edhe një kafe. Edhe një mëngjes i zakonshëm kur, për pak minuta, harroj se jam e sëmurë.

Nuk e di si përfundon kjo histori. Mjekët më kanë thënë gjëra që do t’ia shuanin shpresën kujtdo, dhe i kam sjellë ato fjalë ndër mend më shumë herë sesa mund të numëroj. Por nuk jam gati t’i pranoj ato si fundin tim. Ende jo.

Nuk dua të vdes. Dua më shumë ditë pa ndonjë rëndësi. Më shumë debate. Më shumë libra që ende nuk i kam lexuar. Më shumë kafe. Më shumë të qeshura. Dua të mërzitem sërish nga monotonia. Dua të ankohem për diçka të parëndësishme. Dua të bëj plane pa pyetur fshehurazi veten nëse do të jem gjallë për t’i realizuar.

Jam ende këtu.

Ende e vështirë. Ende sarkastike. Ende e frikësuar. Ende e zemëruar ndonjëherë. Ende lutem. Ende ndiej dashuri. Ende qesh. Ende shqetësohem për macen time. Ende dua libra, mëngjese, kafe, biseda dhe ditë të zakonshme.

Nuk dua një fund të bukur.

Nuk dua që njerëzit të më quajnë të guximshme e pastaj ta mbyllin librin. Dua edhe kapituj të tjerë. Kjo është ndoshta pjesa më e vështirë e gjithë kësaj: Unë ende dua të jetoj.

Prandaj do të vazhdoj—jo sepse nuk kam frikë apo sepse jam e sigurt se do të fitoj, por sepse jam ende gjallë dhe ende dua të jem. Tani për tani, kjo është arsye e mjaftueshme për të luftuar që të shoh edhe mëngjesin tjetër.

Për të gjithë ata që kanë dëshirë për të ndihmuar, të afërmit kanë hapur një GoFundMe.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.