“Xhelal bëre plazh, fjete gjumë dhe u kujtove për reformën”, Zegjine Çaushi shkakton të qeshura te “Ligjet”! Mziu: Ti të çon në kolaps
Debati për reformën administrativo-territoriale ka vijuar mes mazhorancës dhe opozitës në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku deputetët e PD dhe PS janë përplasur për mënyrën e zhvillimit të punimeve dhe kërkesën për bashkimin e dy nismave për reformën.
Deputetja e mazhorancës, Zegjine Çaushi, akuzoi opozitën se po bllokon punën e komisionit dhe se po e shfrytëzon mbledhjen për retorikë politike, duke kërkuar vijimin e rendit të ditës.
Në përgjigje, deputeti demokrat Xhelal Mziu ironizoi qëndrimin e Çaushit dhe kërkoi që Komisioni i Ligjeve të udhëhiqet nga zbatimi i ligjit dhe jo nga rekomandimet politike.
Zegjine Çaushi: Ju nuk mund të vini këtu dhe të bllokoni punën. Kanë kaluar dy orë, kemi që në mëngjes që dëgjojmë vetëm retorikën tuaj politike. Nëse qëllimi është që të bëni show politik, aty ngjitur është një sallë konferencash të cilën mund ta shfrytëzoni më së miri. Po dëgjojmë prej mëngjesit “të dëgjohen dy nismat”. Ku ishit deri tani? Sot u kujtuat të bashkohen dy nismat? Katër muaj ishit ju ata të cilët e bojkotuat komisionin dhe sot kujtoheni për të depozituar nismën tuaj. I nderuar kryetar zbato rregulloren, të vazhdojmë me rendin e ditës. Ti Xhelal nëse e kishe shumë të rëndësishme këtë reformën kujtoheshe. Po e bojktove 4 muaj, bëre plazh, fjete dhe gjumë në shtëpi dhe vjen këtu kërkon bashkimin e dy nismave.
Xhelal Mziu: Kur Zegjineja të jep këshilla në të githa fushat është një standard shumë i lartë. Edhe ju zoti kryetar duhet t’i merrni në konsideratë qortimet që ju bën. Do të dëshiroja që Komisioni të shkojë drejt zbatimit të ligjit dhe jo rekomandimeve të Zegjinesë që nuk të dërgojnë në asnjë vend përveçse një kolapsi të pushteti vendor si dhe fushave të tjera.




