Deputeti Erion Braçe dhunohet nga protestuesit jashtë Kryesisë së Kuvendit, ndërhyn Tritan Shehu
Një incident është regjistruar ditën e sotme jashtë Kryesisë së Kuvendit, ku deputeti socialist Erion Braçe është përplasur fizikisht me protestuesit.
Disa banorë të Memaliajt ndodheshin jashtë Kuvendit dhe po protestonin kundër shkrirjes së bashkisë së tyre me Tepelenën, ndërsa në komisionin e Ligjeve po diskutohen ndryshimet në Reformën Territoriale.
Në momentin që Braçe me telefon në vesh ishte brenda derës hyrëse në Kryesinë e Kuvendit, protestuesit thirrën “o hajdut”.
Situata u tensionua më tej dhe njëri prej banorëve i hodhi ujë deputetit. Më pas Braçe u përplas fizikisht me ta dhe u desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën.
I pranishëm ishte edhe deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili u përpoq të ulte tensionet.
Protesta e banorëve lidhet me kundërshtimin e ndryshimeve të propozuara për organizimin territorial të zonës.




