Deputeti socialist Erion Braçe është përplasur me banorët e Memaliajt paraditen e sotme pranë selisë së Kuvendit.
Banorët e Memaliajt ndodheshin atje për të protestuar kundër shkrirjes së bashkisë së tyre me Tepelenën, teksa në Komisionin e Ligjeve diskutoheshin ndryshimet në Reformën Territoriale.
Braçe ka qenë duke kaluar aty për t’u futur në selinë e Kuvendit, teksa qytetarët kanë shprehur indinjatë ndaj tij si deputet i Partisë Socialiste.
“Hajdut! Mos voto shkrirjen”, i kanë thënë vazhdimisht ata.
Braçe u kthye nga hyrja e selisë së Kuvendit, për të folur me qytetarët. Kur po kalonte rrugën, një i moshuar me biçikletë i pengoi kalimin për më tej të cilin deputeti socialist e shtyu me dorë.
Sakaq, njëri prej banorëve protestues i ka hedhur ujë Braçes në fytyrë. Menjëherë Braçe iu afrua duke thënë: Kë lag ti mor plehrë?! Deputeti më pas pati dhe një debat me aktivisten Luçiana Koka.
Në zonë ndodheshin edhe deputetë të opozitës, të cilët kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
Protesta e banorëve të Memaliajt lidhet me kundërshtimin e tyre ndaj ndryshimeve të propozuara në ndarjen territoriale. Ata kërkojnë që bashkia e tyre të mos shkrihet në një njësi të përbashkët me Tepelenën.














