SPAK ka zhvilluar një kontroll në banesën e Ron Yeffet.
Gazetari Fatjon Gjinaj mëson se kontrollet janë zhvilluar në një banesë në periferi të Tiranës.
Që prej gushtit 2025, shteti shqiptar i ka paguar mesatarisht më shumë se tre milionë euro në muaj një kompanie që një vit më parë nuk ekzistonte.
Miliona të tjera mendohet se janë paguar përmes transaksioneve të paraportuara ose të klasifikuara.
Të gjitha pa asnjë tender publik.
Timak Defence, një kompani publiko-private, në të cilën qeveria shqiptare ka vetëm 20%, u krijua në gusht 2025 për të prodhuar dhe furnizuar forcat e armatosura me automjete dhe mjete të tjera ushtarake.
Një sipërmarrje tjetër, me të njëjtën strukturë pronësie, Advanced Arms Technology, u krijua për të prodhuar dhe blerë armë të kalibrit të lehtë dhe të mesëm dhe dronë ushtarakë për forcat e armatosura.
Pas të dyja kompanive qëndron i njëjti person, Ron Yeffet, një biznesmen izraelito-amerikan dhe mik i kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë në intervistën e tij nga Zvicra për gazetarin Çim Peka, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka publikuar audiopërgjime që, sipas tij, zbulojnë një skemë të dyshuar të abuzimit me fondet publike, grabitjes së aseteve shtetërore dhe trafikut ndërkombëtar të armëve.
Në qendër të denoncimeve të tij janë biznesmeni Ron Yefet, kompania Timak Defense dhe ajo që Ahmetaj e quan ‘koncepti KAYO’.
Kkontrolli i sotëm i SPAK në vilën e tij rikthen në vëmendje aktivitetin e biznesmenit në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me sektorin e mbrojtjes.
Pritet që në vijim të zbardhen më shumë detaje mbi objektin e kontrollit dhe nëse veprimet e SPAK lidhen me një prej çështjeve që kanë dalë në publik gjatë javëve të fundit.
Yeffet është përmendur ndërkohë edhe në një çështje gjyqësore në Miami, ku një biznesmen amerikan e ka paditur për mospagesën e një detyrimi prej miliona dollarësh.
© SYRI.net