PD ka depozituar në Kuvend amendimet nëpërmjet të cilit kërkon ndryshimet e projektligjit të qeverisë për krijimin e rezervës së sigurisë së naftës.
Deputeti Enno Bozdo shprehet se amendimet e opozitës, kundërshtojnë mënyrën e financimit, procedurat e blerjes së naftës dhe përfshirjen e privatëve në menaxhimin e rezervës.
“Rezerva do të krijohet, ajo do të kërkojë nga 300 deri 350 milionë euro dhe barra për këtë do të bjerë përsëri tek shqiptarët! Dhe kjo zgjedhje nuk është detyrim që vjen nga direktiva e BE. Aspak! Kjo është një zgjedhje me vullnet të plotë e qeverisë shqiptare”, tha Bozdo.
Demokratët propozojnë që kostoja e krijimit dhe mbajtjes së rezervës të përballohet plotësisht nga buxheti i shtetit, pa vendosur tarifë të re mbi hidrokarburet.
Për demokratët projektligji i propozuar nga qeveria i hap rrugë blerjes së karburantit përmes kontratave të drejtpërdrejta, gjë të cilën PD e kundërshton duke kërkuar që procedurat të zhvillohen me garë.
Deklaratae plotë:
Partia Demokratike ka kundërshtuar projektligjin e depozituar nga qeveria në Kuvend për krijimin e Rezervës Strategjike të Naftës, duke e konsideruar mënyrën e propozuar të financimit dhe menaxhimit të saj si një barrë shtesë për qytetarët. Sipas demokratëve, krijimi i rezervës është një detyrim që lidhet me sigurinë energjetike dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj Bashkimit Evropian, por mënyra se si qeveria ka parashikuar zbatimin e saj ngre pikëpyetje.
Në deklaratën e PD-së thuhet se shqiptarët paguajnë prej vitesh çmime të larta për naftën dhe karburantet, ndërsa pretendohet se rreth 55% e çmimit përbëhet nga taksa dhe tarifa. Sipas demokratëve, niveli i taksimit është më i lartë krahasuar me vendet e BE-së dhe ato të rajonit.
PD ngre gjithashtu pretendimin se Shqipëria nuk ka aktualisht një rezervë të tillë sigurie dhe as një institucion përgjegjës për administrimin e saj. Në deklaratë kundërshtohen edhe deklaratat e mëparshme të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit përgjegjës për energjinë, sipas të cilëve vendi ka rezerva sigurie të karburanteve.
Por shqetësimi kryesor i demokratëve lidhet me mënyrën e financimit të rezervës së re. Sipas PD-së, projekti do të kërkojë një fond prej rreth 300 deri në 350 milionë euro dhe qeveria ka parashikuar që barra financiare të bjerë mbi konsumatorët.












