Hetimet për incidentin në “Flydubai”, dyshohet se bashkëpiloti veproi i vetëm, nuk përjashtohet pista e terrorizmit

Hetimet për incidentin në avionin e Flydubai po përqendrohen tek bashkëpilotit, pasi ai sulmoi me thikë kapitenin gjatë fluturimit nga Dubai drejt Tel Avivit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se bashkëpiloti, i identifikuar si shtetas i Omanit, dyshohet se ishte radikalizuar dhe se mund të ketë tentuar të rrëzonte avionin.
Megjithatë, Netanyahu theksoi se hetimi vijon dhe nuk janë nxjerrë ende përfundime konkrete.
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe motivin e incidentit, përfshirë nëse bëhej fjalë për një akt terrorist apo nëse kishte pasur planifikim paraprak.
Sipas zyrtarëve izraelitë të sigurisë, vlerësimi fillestar është se bashkëpiloti mund të ketë vepruar i vetëm. Ndërkohë, Izraeli thotë se nuk ka identifikuar deri tani ndonjë përfshirje të Iranit.
Kapiteni dhe bashkëpiloti, të cilët pësuan lëndime, u trajtuan në nje spital në Arabinë Saudite dhe më pas u nisën drejt Abu Dhabit.Incidenti ndodhi të mërkurën në fluturimin FZ1073 të Flydubai, me më shumë se 170 persona në bord.
Bashkëpiloti sulmoi kapitenin me thikë, ndërsa avioni po fluturonte mbi Arabinë Saudite. Kapiteni arriti të hapte derën e kabinës dhe pasagjerët ndërhynë për të neutralizuar sulmuesin.Avioni humbi më shumë se 14 mijë metra lartësi në më pak se 30 sekonda. Një ekuipazh rezervë që ndodhej në bord mori kontrollin dhe kreu një ulje emergjente në aeroportin e Tabukut.
Kapiteni indian Smit Machchhar dhe pasagjerët që ndërhynë janë vlerësuar si heronj për reagimin .Një prej tyre, Yaniv Hayun, tha se vrapoi drejt kabinës dhe ndihmoi në nxjerrjen e sulmuesit dhe rimarrjen e kontrollit të avionit.




