Trajneri Rolando Maran foli në konferencë për shtyp, ndërsa në prag është ndeshja e Kombëtares me Finlandën.
Në konferencën për shtyp, ai tregoi se çfarë duhet për të mundur Finlandën, ndërsa foli edhe për lojtarët që ende nuk kanë debutuar me ekipin, edhe pse janë grumbulluar.
“Ndryshimi mes Bjellorusisë dhe Finlandës? Janë dy skuadra që kanë sisteme të ndryshme loje, por janë shumë të organizuara. Finlanda është një skuadër e vështirë, bën të luajë keq kundërshtarin. Janë të ngjashëm në mënyrën se si rrinë në fushë, shumë të ngushtë, që i mohojnë shpejtësinë ekipit kundërshtar.
Pilo dhe Mitaj majtas? Lojtarët duhet të vihen në shërbim të skuadrës me cilësitë e tyre, pres që lojtarët që hyjnë në fushë të vendosin cilësitë në shërbim të ekipit. Ne për të qenë një ekip konkurrues, duhet të shtyjmë shumë dhe të japim më shumë se 100%.
E pres këtë nga të gjithë, kam fatin që kam djem me këto karakteristika e me përkushtim. Kur e kemi treguar këtë, kemi shfaqur më shumë cilësi sesa mendonim se kishim. Janë lojtarë që mund të kenë role të ndryshme, kanë karakteristika të ndryshme. Nuk mund të plotësojnë njëri-tjetrin duke luajtur bashkë, mund të alternohen, si aktualisht.
Kerjota? Unë kam ftuar disa lojtarë më shumë për të kompletuar grupin, pasi ishin shumë ndeshje dhe doja t’i njihja.
Ai nuk kishte mundësinë, apo nuk ishte momenti që ta rreshtoja, por bënte pjesë e një hyrje në këtë grup për ta njohur më mirë. Të shohim nëse krijohet mundësia, por ishte e parashikuar“.













