E premte, 2 Tetor 2026 Zilia deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

Diplomohen studentët e “Barletit”, certifikata për të rinjtë që kanë spikatur gjatë  studimeve

Me buzëqeshje, emocione dhe duartrokitje, në një ceremoni madheshtore Universiteti “Barleti” diplomoi studentët të cilët përmbyllën një etapë të rëndësishme të formimit të tyre.

Përtej diplomës, kjo është edhe dita kur përpjekjet e viteve të studimit marrin vlerësimin e merituar, ndërsa të rinjtë hedhin hapin e radhës drejt tregut të punës.

Reklamë

“Universiteti Barleti është universitet aplikativ dhe sipërmarrës që me programet e tij formon studentët jo vetëm me dije, informacion dhe njohuri, por edhe me kompetenca dhe aftësi për një treg pune gjithmonë në zhvillim. Programet e tij të shumëllojshme dhe të shumta në numër, mbi 40, u mundësojnë të rinjve të zgjedhin të ardhmen e tyre. Programet tona i pajisin studentët tanë të përshtaten me një treg që vetëm ndryshon. Universiteti fokusohet në zhvillimet komunitare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, nëpërmjet kërkimit të aplikuar, projekteve ku përfshihen jo vetëm pedagogët, akademikët, kërkuesit shkencorë, por edhe studentët dhe aktorët e ekosistemit në Shqipëri. Ky zhvillim që ne jemi përfshirë në këtë kohë të jetë një zhvillim i qëndrueshëm dhe i projektuar drejt së ardhmes”, tha Suzana Guxholli, rektore e universitetit “Barleti.

Në këtë universitett renditen 4 fakultete: Fakulteti i Shkencave Mjekësore, ⁠Fakulteti i Ekonomisë, Qeverisjes dhe Drejtësisë, ⁠Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Industrive, ⁠Fakulteti i Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit. Një fokus të veçantë, sipas administratores ka edhe afrimi i programeve me nevojat e studentëve, industrisë dhe shoqërisë.

“Kur flasim për universitetin e së ardhmes, ne në Universitetin Barleti e shohim atë si një universitet që duhet të jetë shumë më pranë nevojave të studentit, industrisë dhe shoqërisë. Një nga drejtimet tona të rëndësishme është mbështetja dhe zhvillimi i Fakultetit të Mjekësisë, një nga fakultetet tona më të reja, por edhe më premtuese, për të cilin kemi suportuar ndërtimin e një strukture moderne spitalore “Barleti Day Hospital”, i cili ndodhet në një nga zonat më dinamike të Tiranës, në Lake View në Tiranë”, tha Merita Dinaj, administratore e deleguar në Universitetin “Barleti”.

Ndërkombëtarizimi dhe lidhja e studimeve me praktikën janë gjithashtu pjesë e zhvillimit që universiteti synon të forcojë.

“Kemi zhvilluar 65 projekte ndërkombëtare në kërkim, inovacion, edukim, zhvillim kapacitetesh dhe fuqizim të të rinjve dhe komuniteteve. Ajo që ne duam të forcojmë është lidhja e universiteteve me industrinë. Duam që studentët të mos marrin vetëm informacione teorike por ta lidhin këtë me praktikën jo vetëm mbrapa studimeve të tyre universitare, por edhe gjatë procesit të tyre akademik”, tha Dinaj.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe certifikata për të rinjtë që kanë spikatur me dijet e tyre.

Për të diplomuarit, kjo ditë shënon fundin e një etape dhe fillimin e një rruge të re. Diploma është pikënisje për mundësitë dhe sfidat që i presin në të ardhmen.

Universiteti Barleti, në historine e tij, ndër breza numëron mbi 10.000 të diplomuar.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.