Pilo apo Mitaj në të majtë? Çfarë thotë trajneri Maran para ndeshjes me Finlandën
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të përballjes me Finlandën, ku ka folur për alternativat që ka në dispozicion dhe mundësitë e aktivizimit të lojtarëve në krahun e majtë të mbrojtjes.
I pyetur për mundësinë që Pilo dhe Mitaj të luajnë në të njëjtën linjë, tekniku italian theksoi se më e rëndësishmja është që secili futbollist të vërë cilësitë e tij në funksion të ekipit, duke lënë të hapur mundësinë e alternimit të tyre.
“Lojtarët duhet të vihen në shërbim të skuadrës me cilësitë e tyre. Pres që lojtarët që hyjnë në fushë t’i vendosin cilësitë e tyre në shërbim të ekipit. Për të qenë një skuadër konkurruese, duhet të japim shumë dhe të shkojmë përtej 100 për qind të mundësive tona. Këtë e pres nga të gjithë, por kam fatin të kem lojtarë me këto karakteristika dhe me përkushtim të madh”, u shpreh Maran.




