E premte, 2 Tetor 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Përplasja SHBA- Europë për naftën, qeveritë e BE diskutojnë lirimin e rezervave strategjike

Çmimet e karburanteve po shtojnë presionin mbi vendet europiane, ndërsa qeveritë e Bashkimit Europian po diskutojnë lirimin e rezervave strategjike të naftës.

Sipas Reuters, Franca ka propozuar që vendet europiane të nxjerrin në treg rreth 50 milionë fuçi naftë, ndërsa vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë të lirojnë edhe 50 milionë fuçi naftë bruto. Propozimi u diskutua këtë të premte gjatë një telefonate mes qeverive të vendeve të BE-së.

Reklamë

Nisma vjen pas presionit të Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve europianë për të përdorur rezervat emergjente, me synim rritjen e furnizimit dhe uljen e çmimeve të karburanteve.

Administrata e presidentit Donald Trump ka paralajmëruar se, nëse vendet europiane nuk rrisin furnizimin nga rezervat e tyre, Uashingtoni mund të shqyrtojë edhe kufizimin e eksporteve amerikane të naftës së përpunuar.

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, tha se ishte shumë i bindur se Europa do të ndërmerrte një hap të tillë.

Por vendet europiane kërkojnë garanci nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas burimeve të Reuters, çdo marrëveshje për lirimin e mëtejshëm të rezervave duhet të shoqërohet me një angazhim amerikan për të mos vendosur në mënyrë të njëanshme një ndalim të eksporteve të naftës së përpunuar.

Në lidhje me situatën ka reaguar edhe zëdhënësja e BE-së.

“Ne e hedhim poshtë plotësisht çdo ndalim të naftës. Një ndalim nuk do të ishte i dobishëm për askënd. Do të minonte besimin tonë në Shtetet e Bashkuara si një partner i besueshëm. Ne jemi gati, Bashkimi Evropian është gati, për veprim kolektiv në kontekstin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ,Është roli i tyre të organizojnë lirimin e mundshëm të stokut”, tha Anna-Kaisa Itkonen, zëdhënëse e BE.

Presioni vjen në një moment kur tregjet globale të energjisë janë përballur me ndërprerje të furnizimeve dhe çmime të larta. Vetëm të enjten, çmimi i naftës Brent u rrit me më shumë se 4 për qind, duke kaluar 102 dollarë për fuçi.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.