Bienalja Ndërkombëtare e Artit, 45 artistë nga vende të ndryshme të botës mblidhen në Durrës
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor në Durrës rikthehet me edicionin e saj të dytë, duke zgjeruar më tej dimensionin ndërkombëtar dhe marrëdhënien mes artit dhe qytetit. Edicioni i dytë nisi me një ceremoni që u zhvillua në mjediset e ish- Vilës Mbretërore e Mbretit Zogu I. Në qendër të këtij edicioni është tema “Periferia: Tranzicione pamore”, përmes së cilës vështrimi zhvendoset drejt hapësirave, historive dhe realiteteve që shpesh mbeten jashtë qendrës së vëmendjes.
34 pavijone kombëtare dhe 45 artistë nga vende të ndryshme të botës kane sjellë në Durrës perspektiva të ndryshme mbi periferinë, kujtesën, identitetin dhe jetën urbane
“Kjo Bienale ka pjesëmarrje shumë të gjerë. Ka artistë nga 34 vende, shumë nga Afrika dhe Azia gjithashtu edhe nga Zelanda e Re duke i dhënë Bienales një dimension ndërkombëtar që e dërgon Durrësin në botë. Moto Periferia simbolizon zhvillimin e atyre vendeve të cilat dikur ishin “periferi” ndërsa sot janë vende shumë të njohura, ashtu sikurse ka vende që dikur ishin shumë të rëndësishme ndërsa sot mund të konsiderohen “periferi”. Pra është një dëshmi që bota është në ndryshim të vazhdueshëm njëlloj si ndodh edhe me Artin. Pra Bienalja është e ndryshme çdo 2 vite me artistë të rinj dhe art bashkëkohor si pasqyrë e ndryshimit dhe zhvillimit”.
Krahas hapësirave tashmë të përfshira në shtegun e Bienales, këtë vit i bashkohen Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia”, Muzeu Kombëtar Arkeologjik, Muzeu Etnografik dhe Shtëpia Muze “Aleksandër Moisiu”. Kjo ndërthurje e artit bashkëkohor me trashëgiminë historike, arkeologjike, etnografike dhe kulturore të qytetit krijon një dialog të veçantë mes së shkuarës dhe së tashmes.




