SYRI TV/ Korrupsioni zgjedhor, s’do arrestohet askush - Rama shpëton nga burgu blerësit e votes

14:43, 02/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të propozuara nga Kryeministri Edi Rama do të pamundësojnë arrestin në burg për personat e dyshuar për krime zgjedhore, përfshirë shitblerjen e votës, kërcënimin e votuesve dhe marrjen e kartave të identitetit. Ndryshimet, që prekin 105 nene të Kodit, kundërshtohen nga opozita dhe shoqatat e gjyqtarëve e prokurorëve, ndërsa qeveria i justifikon ato si përafrim të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Syri tv

Opozita, si edhe shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë reaguar negativisht ndaj propozimeve të kryeministrit Edi Rama për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Projekti që ndryshon 105 nene të një prej ligjeve më të rëndësishme të Shtetit, pritet të krijojë kaos në zbatimin e tij. Për Ramën dhe qeverinë e tij, amendamentet e përafrojnë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Por, në detajet e tij duket qartë se një pjesë e rëndësishme e ndryshimeve synojnë të shpëtojnë zyrtarët qeveritarë dhe armatën e patronazhistëve të Partisë Socialiste nga arrestimet.

Sipas propozimeve të kryeministrit Rama, të gjithë personat që përfshihen në krime zgjedhore, do të shpëtojnë nga arrestimi. Në vitin 2020, me këmbënguljen e opozitës, Parlamenti miratoi një paketë të rëndësishme që synonte parandalimin e korrupsionit zgjedhor. Aktualisht, në Kodin Penal janë në total 13 nene, të cilat parashikojnë penalizimin për krimet zgjedhore. Dënimet për këto vepra shkojnë në maksimum deri në 5 vjet. Sipas Kodit të Procedurës Penale në fuqi, për një pjesë të këtyre veprave, sidomos për ato të korrupsionit zgjedhor që janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, ekzistonte mundësia që personat e dyshuar të vendoseshin në masë arresti.

Por, ndryshimet e propozuara nga Edi Rama për Kodin e Procedurës Penale parashikojnë se për veprat, për të cilat ka një maksimum dënimi 5 vjet, nuk aplikohet masa e arrestit në burg. Bazuar në ndryshimet e pritshme, të gjithë ata zyrtarë apo individë të tjerë, që përfshihen në krime elektorale, si shit-blerje vote, kërcënim votuesish, marrje kartash identiteti, e të tjerë, do të hetohen në gjendje të lirë. Pak muaj më parë, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela kërkoi në Parlament fuqizimin e dënimit për krimet zgjedhore. Por, Edi Rama dhe maxhoranca e tij po ecin në rrugë tërësisht të kundërt, tashmë që vendi ka hyrë në vitin zgjedhor për pushtetin vendor, të parashikuara të zhvillohen në viti 2027.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco