AKTUALITET /

"Kur mësova humbjen, i thashë zotit "të urrej"! Tragjedia në Athinë, vëllai i Florida dhe Flor Hoxhës rrëfen dhimbjen: Humba gjysmën e familjes

Shkruar nga Versus

"Kur mësova humbjen, i thashë zotit "të urrej"!

Detaje të reja dhe rrëfime prekëse janë bërë publike për tragjedinë e 25 shtatorit në Athinë, ku humbën jetën katër persona, mes tyre vëlla e motër me origjinë shqiptare.

Florida dhe Flori Hoxha ndodheshin në një godinë në rrugën Lysikratous, në zonën historike të Plakës, pranë Akropolit, kur një shpërthim i fuqishëm shembi ndërtesën. Bashkë me ta humbën jetën edhe Eris Cani, partnerja e Florit, dhe Ian Alexander Kirkpatrick, bashkëshorti i Floridës.

Për “Daily Mail”, Klajdi Hoxha, vëllai i dy viktimave, ka rrëfyer momentet e tmerrshme kur familja mësoi për tragjedinë.

Mëngjesin e 25 shtatorit, prindërit e tij prisnin një telefonatë nga Florida dhe Flori, të cilët atë ditë pritej të merrnin avionin nga Athina drejt Nju Jorkut. Flori kishte qenë me pushime në kryeqytetin grek së bashku me Eris Canin, ndërsa më pas ata ishin bashkuar me Floridën dhe Ian Kirkpatrick, të cilët ishin martuar vetëm 25 ditë më parë.

Telefonata e shumëpritur nuk erdhi kurrë. Në vend të saj, familja u njoftua nga Ambasada Amerikane në Greqi se të afërmit e tyre mund të ishin mes personave të prekur nga shpërthimi.

“Morëm një telefonatë nga Ambasada Amerikane në Greqi. Telefonata u erdhi prindërve të mi dhe prindërve të Erisit. Hipa menjëherë në makinë... Po përpiqesha, në një farë mënyre, të përballoja dëshpërimin, dhimbjen, ankthin”, tregoi Klajdi.

Ai tha se për një moment shpresoi që familjarët e tij të kishin mbijetuar nën rrënoja. Fakti që kompania ajrore “Delta” i kishte regjistruar si pasagjerë në fluturimin që do të merrnin për në Nju Jork i dha atij shpresën se mund të ishin gjallë.

Por, pasi kontaktoi kompaninë, mësoi se ata nuk kishin hipur kurrë në avion.

“Mbeta me shpresë se njerëzit kanë mbijetuar nga cunamet, tërmetet, gjëra më të mëdha nën rrënoja... por kishte shumë frikë dhe shumë trishtim. Isha shumë i afërt me motrën dhe vëllain tim. U rritëm së bashku. Punoja me vëllain tim çdo ditë. Flisnim çdo ditë. Kishte një lidhje që ishte vërtet e pakrahasueshme”, rrëfeu ai.

Klajdi, së bashku me të fejuarën e tij Sindi, prindërit dhe familjarët e Eris Canit, u nisën drejt Greqisë. Gjatë udhëtimit ata morën lajmin se dy shtetas amerikanë ishin konfirmuar të vdekur. Florida dhe Flori u raportuan si shtetas amerikanë, pasi kjo ishte nënshtetësia me të cilën udhëtonin.

“Shkova në tualet për dhjetë minuta... Thashë vetëm, me keqardhje, të urrej, Zot. Nuk mund ta besoj që po ma bën këtë. Dhe qëndrova aty duke e thënë këtë”, tregoi Klajdi.

Pas mbërritjes në Greqi, familja u takua me përfaqësues të Ambasadës Amerikane, të cilët i informuan se të afërmit e tyre ishin nxjerrë të pajetë nga rrënojat.

 

“Ne e kuptuam pak a shumë, kjo ishte e vërteta. Nuk është një film. Nuk është makth apo diçka e tillë. Është jeta reale”, tha ai.

Klajdi e përshkroi humbjen si një goditje që i ndryshoi përgjithmonë jetën familjes.

“Humba vëllain, motrën time, si dhe kunatin e kunatën, në thelb gjysmën time të familjes”, u shpreh ai.

Një tjetër detaj tragjik i bërë publik është se Flori dhe Eris Cani ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë. Sipas Klajdit, Eris ishte pesë muajshe shtatzënë dhe çifti priste një vajzë.

“Florin dhe Eris kanë qenë bashkë për një kohë të gjatë. Ata kurrë nuk donin një martesë. Por Eris ishte shtatzënë, ajo ishte pesë muaj shtatzënë duke pritur fëmijën e tyre të parë, një vajzë”, tha ai.

Shpërthimi ndodhi në orët e para të 25 shtatorit dhe shkaktoi shembjen e godinës dykatëshe. Sipas të dhënave të raportuara deri tani, dyshimet janë përqendruar te një rrjedhje gazi në apartamentin e dy të moshuarve, Edmond Hings dhe Athina Papapresku, të cilët gjithashtu humbën jetën në tragjedi./Versus.al

Poll