Cold brew, dalgona dhe matcha kanë pasur momentet e tyre virale. Tani një teknikë tjetër e kafesë që është popullarizuar në Korenë e Jugut po kalon në tregun amerikan: espresso i rrahur me ajër.
Starbucks po eksperimenton në SHBA me Aerocano, një pije ku espresso dhe akulli përpunohen me avull ose ajër për të krijuar një shtresë të trashë, të butë dhe të shkumëzuar. Food Institute raportoi sot se kompania po sjell kështu në tregun amerikan një format që tashmë ka tërhequr vëmendje në kafenetë koreane.
Rezultati vizualisht qëndron diku mes një Americano-je të ftohtë dhe një pijeje me krem. Por në vend që tekstura të vijë nga qumështi ose heavy cream, pjesa më e madhe e efektit krijohet duke futur ajër në vetë kafenë.

Pamja është një pjesë e rëndësishme e suksesit. Shtresa e shkumës e bën pijen menjëherë të dallueshme në foto dhe video, duke e përshtatur mirë me kulturën e kafesë në TikTok dhe Instagram. Sipas Food Institute, ky kombinim i teksturës dhe paraqitjes ka ndihmuar pijet e rrahura me ajër të marrin vëmendje në rrjetet sociale.
Është edhe një shembull tjetër i ndikimit që kultura aziatike e kafeneve po ushtron mbi zinxhirët globalë. Shijet nuk janë më i vetmi element që udhëton nga një treg në tjetrin. Po udhëtojnë edhe teknikat, teksturat dhe mënyra se si një pije duhet të duket në ekran.