Gazetari dhe moderatori i njohur Blendi Fevziu, ka publikuar në llogarinë e tij një video të regjistruar sot në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, apo rruga industriale siç njihet gjerësisht. Ndonëse situata ka qenë e tillë prej vitesh, gazetari është habitur nga kushtet e rrugës.
Blendi Fevziu ndan shpesh në llogaritë e tij pamje nga rrugët apo vendet që viziton, duke treguar anën tjetër të Shqipërisë, atë që nuk shfaqet në propagandën zyrtare, por një realitet i trishtë me të cilin përballen përditë njerëzit e zakonshëm.
"60% e buxhetit të Shqipërisë prodhohet këtu. Po shiheni çfarë katastrofe...", shkruan gazetari dhe tregon gjendjen katastrofike të rrugës, shoqëruar me nota të forta habie, sesi mund që një aks i tillë ku operojnë bizneset dhe industritë më të rëndësishme të vendit, lihet në të tillë gjendje.
Në rrugën dytësore, kalojnë përditë mijëra automjete dhe ajo është rruga e vetme për mijëra banorë të Laknasit dhe disa komplekseve rezidenciale banimi, por gjendja e shtresave asfaltike prej vitesh ka mbetur e degraduar.
Së fundmi, Bashkia e Tiranës ka njoftuar se ka shpallur një tender për rikonstruksionin total të saj, nga spitali Hygeia deri në afërsi të Megatek. Për shkak të punimeve për nyjen e re të Laknasit, në autostradë, rruga ka degraduar edhe më shumë nga kalimi i mjeteve të rënda.
