POLITIKË /

Votimi elektronik në zgjedhjet e 2027, Celibashi fton partitë në konsultim për zgjerimin e procesit në 3-4 bashki

Në letrën drejtuar partive, Celibashi thekson se zgjerimi i votimit dhe numërimit elektronik kërkon përgatitje në kohë dhe marrjen në konsideratë të aspekteve teknike, logjistike dhe administrative.

Shkruar nga Versus

Votimi elektronik në zgjedhjet e 2027, Celibashi fton partitë në

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton mundësinë e zgjerimit të votimit dhe numërimit elektronik në disa prej bashkive të mëdha të vendit për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, u ka dërguar një letër partive politike, përmes së cilës kërkon që ato të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me mundësinë e shtrirjes së procesit elektronik në 3 ose 4 bashki të mëdha.

Në letrën drejtuar partive, Celibashi thekson se zgjerimi i votimit dhe numërimit elektronik kërkon përgatitje në kohë dhe marrjen në konsideratë të aspekteve teknike, logjistike dhe administrative.

“KQZ vlerëson se një shtrirje në 3 apo 4 bashki të mëdha përbën një qasje të arsyeshme dhe proporcionale”, thuhet në letër.

Sipas Celibashit, çdo vendimmarrje për zgjerimin e procesit duhet të mbështetet në një qëndrim të qartë dhe të konsoliduar të partive politike.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon shprehimisht që partitë politike të paraqesin qëndrimin e tyre lidhur me mundësinë e zhvillimit të votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet vendore të vitit 2027, në disa bashki të mëdha, kohë përpara procesit zgjedhor”, thuhet në dokument.

Në kuadër të konsultimeve, KQZ ka ftuar përfaqësuesit e partive politike në një takim më 9 tetor 2026, në orën 11:30, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Takimi do t'u paraprijë qëndrimeve zyrtare të forcave politike për këtë çështje, ndërsa në fokus do të jetë mundësia e aplikimit të votimit dhe numërimit elektronik në disa prej bashkive më të mëdha të vendit gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2027./Versus.al

Poll