Deputeti socialist Erion Braçe është përballur këtë të premte me një situatë të vështirë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku po diskutohej për Reformën Administrativo-Territoriale. Jashtë ishin mbledhur qytetarë të zemëruar të Memaliajt dhe Fushë Arrëzit, të cilët e kanë quajtur "hajdut", i hodhën ujë dhe e sulmuan fizikisht.
Siç shihet edhe nga pamjet, Erion Braçe futet mes turmës dhe u kërkon llogari për ofendimet e ujin që i hodhën në fytyrë, ndërsa disa prej tyre nisin menjëherë të reagojnë ashpër dhe e shtyjnë derisa ai përfundon pas pemës.
Është dashur ndërhyrja e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe kolegut demokrat Tritan Shehu, të cilët e kanë larguar nga turma e zemëruar.
Në mes të gjithë situatës së tensionuar, ra në sy reagimi solidar i kolegut Tritan Shehu, i cili pavarësisht se është kundërshtar politik me Erion Braçen, guxoi të ndërhynte dhe e mbajti larg socialistin nga turma.
