Komentet mbi videot intime, Kostana Morava: I rëndë normalizimi i tradhtisë bashkëshortore
Gazetarja Kostana Morava, e ftuar në studion e “Takohemi n’Vizion” të moderatores Fjodora Fjora, ka komentuar reagimet në rrjet dhe media pas publikimit të videove intime, ku ishin të përfshirë personazhe të njohura.
Morava tha se është e rëndë kur sheh se si normalizohet kaq lehtë akti i tradhtisë bashkëshortore. Sipas saj, jetojmë në një kohë të lirë dhe kush është i pakënaqur nga partneri thjesht mund të divorcohet, dhe jo të kryejë akte kaq të rënda.
Pjesë nga biseda:
Morava: Familja dhe normalizimi i tradhtisë bashkëshortore nuk është prekur sa duhet, kjo është A-ja e kësaj problematike. Pavarësisht se të rriturit kanë stilin e tyre të jetës, por janë dy pika që nga kjo ngjarje dalin në pah. E para, pritet që të konfirmohet a përdoren favoret seksuale për një vend pune, për një këngë apo situata ku ka përfitime. Nuk e dimë nëse ky videopskandal është rasti. Unë kam qenë një nga flamurtaret që kam hapur temën e ngacmimeve në vendet e punës. E dyta është normalizimi i tradhtisë, normalizimi i faktit që sot qenka më normale që kjo… Reagimi im spontan është pikërisht ky.
Fjora: Ato zonjat ishin beqare.
Morava: Ato zonja e dinë që po shkojnë me burrin e një gruaje tjetër. Më vjen keq për këtë lloj dëshpërimi ku jeton shoqëria shqiptare. Ne themelet e kalbura i kemi në shoqëri, në familje, pastaj të shohim pse kemi këto probleme që kemi në politikë.
Fjora: Ti po thua që tashmë është çudi e madhe tradhtia bashkëshortore?
Morava: Po. Të paktën në kohën e sotme, kur divorci është i lirë, unë s’e kuptoj pse nuk divorcohesh dhe njerëzit rrinë bashkë dhe tradhtojnë. Në një botë të lirë ku ti mund të divorcohesh, por ti vijon e bën këtë lloj jete, për mua është e çuditshme.




