17 shfaqje në 9 hapësira të ndryshme, duke përfshirë skenat tradicionale, por edhe qendra komunitare si ajo e Kombinatit do të shfaqen gjatë tre javëve në Tiranë në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit me drejtues artistik koreografin Angjelin Preljocaj.
“Fatkeqësisht nuk e kam të mundur të jem i pranishëm në këtë konferencë për shtyp, pasi jam në provë në Aix-en-Provence për krijimin tim të ri që quhet 'Soulèvement' (Kryengritja)... Me zi pres t'ju takoj më 16 dhe 17 tetor në Operën e Tiranës”, thotë Preljocaj.
Një nga risitë më të rëndësishme këtë vit është bashkëpunimi me Baletin e Kosovës.
Përveç emrave të njohur ndërkombëtarë nga Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Greqia dhe Spanja, theksi i këtij edicioni vihet tek arti i aksesueshëm për të gjithë dhe mbështetja e brezave të rinj përmes shfaqjeve falas dhe masterclass-eve. Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, u ndal te rëndësia e institucionalizimit të këtij eventi.
“Që këto të mos jenë më një barrë e një improvizimi të verës apo të vjeshtës, por që të jenë tashmë pjesë e pandarë e kalendarit dhe e traditës sonë sa i takon në këtë rast baletit dhe dancit... 9 prej shfaqjeve do të jenë falas, sepse arti cilësor duhet të jetë sa më i aksesueshëm”, tha Blendi Gonxhja.
Nga ana e tij, drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Aulon Naçi, dhe drejtori i Baletit të Kosovës, Kreshnik Musolli, vunë në dukje rëndësinë e bashkimit të forcave artistike mes dy vendeve, ku bashkëprodhimi do të ketë premierën në Tiranë dhe më pas do të shfaqet në Prishtinë më 7 tetor.
“Misioni kryesor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka kërkimin në rritjen dhe zhvillimin e cilësisë dhe në përurjen e artistëve ndërkombëtarë dhe ballafaqimeve me artistët e arenës kombëtare... Kjo është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit dhe bashkimit të forcave për të vënë në punë të gjithë kapacitetin artistik të dy vendeve”, thekson ai.
Me shfaqje për fëmijë, trupa ndërkombëtare dhe synimin për ta shndërruar Tiranën në një pikë referimi të artit skenik, International Dance Festival of Tirana premton një muaj tetor plot emocione për artdashësit. Shfaqja e parë do të interpretohet të shtunën me koreografi nga Brikel Kuka.











Komente
Komento