Videot intime, debat mes të ftuarve në studio. Morava: Mos normalizoni tradhtinë! Bruno: Jeta private është personale
Publikimi i videove intime dhe qëndrimi i opinionit publik ishte pika e diskutimit mes gazetares Kostana Morava dhe influencerit Bruno Shemsho këtë të premte në studion e “Takohemi n’Vizion” të gazetares Fjodora Fjora.
Gazetarja Morava tha se nuk duhet të cilësohet normale as sjellja e atyre grave, të cilat janë personazhe në video dhe që e dinin shumë mirë se kishin të bënin me një burrë të martuar. Sipas saj, personazhet publikë duhet të kenë qëndrime të njëjta si në publik, ashtu edhe në jetën normale, pasi në fund janë shembull për qytetarët.
Por për influencerin, një personazh publik është shembull vetëm për atë që ai bën në profesion dhe jo për sjelljen e tij në jetën private.
Pjesë nga diskutimi:
Morava: Nuk di çfarë të them, më vjen keq për njerëz që janë përfshirë pa u përfshirë në këtë skandal, si Fifi, Aurela Gaçe, Rozana. Më vjen keq për njerëz që preken. Nga ana tjetër, me lajmet që qarkullojnë se janë mijëra video nga hotelet ku ke qenë me pushime, kjo është gjëja që duhet të ndajmë. Duhet të ndajmë llojin e historisë. Është tjetër të të ekspozojnë me burrin dhe tjetër rasti i Adi Hilës.
Fjora: Pse nuk themi ndonjë gjë për këtë burrin?
Morava: Ai, po të ishte nga ai lloj burri, do e kishte marrë peshën përsipër, s’do na e përziente.
Bruno: Unë mendoj se janë po aq fajtorë dhe po aq viktima në ato imazhe. Në jetën tonë ka raste kur tradhtojnë.
Morava: Por kur normalizohet, është e tmerrshme.
Bruno: Moralin e shesin shumë lehtë personazhet jopublikë dhe të ofendojnë.
Morava: Bruno, më fal, nuk është e thënë që ai që është jopublik e ka në terezi. Personazhet publikë vendosin modele sjelljeje. Këtu nuk bëhet fjalë për aktin, por për një tufë grash që shkojnë me të njëjtin burrë.
Bruno: Ai nuk është model për familjen, por për artin.
Morava: Personazhet publike kanë përgjegjësi, pavarësisht se çfarë është.
Bruno: Në dhomën e gjumit çfarë përgjegjësie ka?
Morava: Unë mendoj që njeriu nuk mund të dalë dhe të thotë tjetër gjë, e pas dyerve të mbyllura të bëjë tjetër jetë. Ky fenomen që ne shohim sot, mua më shqetëson, sepse nesër bëhet normalitet në të gjithë shoqërinë. Nesër shkon në nivele ekstreme, e përqafon gjithë shoqëria atë.




