'Rama ka kapur institucionet', Nesho: Yeffet, SHISH dhe armët, skandali që çon te pushteti

17:05, 02/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në edicionin e pasdites në Syri TV, diplomati Agim Nesho deklaroi se skandali i Roni Yeffet dhe çështja e SHISH janë tregues të një problemi më të gjerë të qeverisjes së Edi Ramës, duke akuzuar mazhorancën për kapje të institucioneve dhe lidhje me krimin e organizuar.

Nesho u shpreh se SPAK duhet të shkojë përtej individëve dhe të hetojë përgjegjësitë politike, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi rolin e Yeffet në industrinë e armatimit dhe pasojat që këto zhvillime mund të kenë për sigurinë kombëtare dhe Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s.

Diplomati kritikoi gjithashtu mënyrën e funksionimit të SHISH-it, duke pretenduar se përdorimi i strukturave të sigurisë ndaj familjarëve të prokurorëve tregon presion institucional dhe kërkoi që hetimet të zbardhin lidhjet e pretenduara mes pushtetit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Pjesë nga intervista:

Po shikojmë nga dita në ditë që po plasin skandalet, të cilat tregojnë se sa e kalbur është ky regjim që ka ndërtuar Edi Rama për përfitimet e tij personale.

Pra, skandali i Roni Yeffet. Unë mendoj që edhe Prokuroria, pavarësisht se është e vonuar, është një nga skandalet më të mëdha që mund të ndodhin në një vend anëtar të NATO-s. Dihet që projektimi i këtij elementi, që po rezulton gjithmonë e më shumë një element i kërkuar, siç doli edhe nga përgjimet e dhëna nga agjencitë e ndryshme të informacionit të vendeve partnere, që ai ka ardhur në këtë pozicion për të bërë punë të pista të qeverisë shqiptare dhe për t’u pasuruar, ashtu si Gori i Ukrainës, që është një multimilioner.

Pra, është i vetmi vend anëtar i NATO-s, i cili thyen ato principe me të cilat bazohet një aleancë më e fuqishme demokratike sot në botë. Kërkon që të bëjë tregti të fshehtë të armëve në vende të tilla, jo vetëm të pasigurta, por që përbëjnë një kërcënim edhe për rendin në Afrikë, në vende të tjera ku Roni Yeffet mendon që është diçka tepër e zgjuar të ndërtojmë edhe industrinë e ardhshme të armatimit. Dhe mendoj, ky person, i cili nuk ka investuar asnjë lek, por është një manipulator, një prestanome i kryeministrit shqiptar.

Dhe këtu bëj një parantezë: që jemi i vetmi vend, i cili edhe në industrinë ushtarake, që ka rregulla të përcaktuara, norma tepër të rrepta, ne i bëjmë me ndërmjetës, kur edhe vendet autokratike, si ne, siç është Serbia, bëjnë komunikim direkt me firmat zyrtare të shteteve të ndryshme. Siç është rasti i dronëve të Izraelit, kur Serbia të njëjtat kontrata që ne po e kryejmë nëpërmjet Roni Yeffet, ata e kryejnë direkt me kompaninë bazë shtetërore që është në shtetin izraelit.

Pra, edhe në kushtet më normale, dihet që pabesia e këtij regjimi të pangopur, që po i thith dhe pikën e fundit të gjakut të popullit shqiptar, po vepron.

Por ju me të drejtë thatë që Roni Yeffet është pjesë e një zinxhiri të skandaleve që po ndodhin në Shqipëri, po i njëjti dhe me të njëjtat përmasa të rrezikshmërisë, seriozitetit edhe sigurisë së shtetit shqiptar është çështja e AKSH-it, e dokumentacionit, i cili deri tani nuk dihet se ku ka vajtur në shumë raste, në rastin më të mirë, dhe si mund të përdoret nga kundërshtarët e Shqipërisë, por edhe duke e kthyer Shqipërinë në një vend vulnerabël si anëtare e NATO-s, nga e cila mund të jetë shumë më e lehtë edhe për të sulmuar interesat e kësaj organizate.

Ashtu si edhe rënia komplete e shërbimit të fshehtë shqiptar, SHISH-i, i cili, me anë të deklaratave të deritanishme të kryetares së shërbimit, ka bashkëpunuar shumë ngushtë me krimin e organizuar dhe minimalisht me një njeri që për 8 muaj ishte në ndjekje të autoriteteve kryesore të Prokurorisë Speciale në Shqipëri.

Pjesa e demaskimit të këtij regjimi është bërë tashmë e hapur. Problemi që ka mbetur është që kjo Prokurori duhet të shpërthejë nga ato zinxhirë që vetë Rama, duke kapur gjithë institucionet e shtetit, ka vendosur për ta mbajtur nën kontrollin e tij. Dhe kjo u tregua shumë mirë edhe me rastet më të fundit, që vetë shërbimi i fshehtë i shtetit, SHISH-i, përgjon anëtarë të familjes së prokurorëve dhe pse, për të bërë presion direkt ndaj tyre, për të mos goditur skemën e funksionimit të këtij shteti, lidhjen e tij me krimin e organizuar dhe, nëpërmjet krimit të organizuar, pastrimit të parave të tij, të mbajë pushtetin duke blerë zgjedhjet dhe duke vazhduar të qëndrojë në pushtet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco