Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

Kush ka frikë nga Mevlan Shanaj?! I biri i regjisorit nxjerr SHIFRAT dhe tregon se babai ka marrë nga QKK-ja për 5 filma, sa gjysma e pagesës së kolegëve të huaj

Shkruar nga Newsbomb
Kush ka frikë nga Mevlan Shanaj?! I biri i regjisorit nxjerr SHIFRAT dhe
Joni Shanaj dhe babai i tij, Mevlan Shanaj

Joni Shanaj, djali i regjisorit dhe aktorit të njohur Mevlan Shanaj, ka publikuar pagesat që i ati ka marrë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në përgjigje të akuzave të fundit ndaj tij se ende nuk i ka dorëzuar projektet për të cilat është paguar nga buxheti i shtetit.

Shkruan Joni Shanaj

Kush ka frikë nga Mevlan Shanaj?

Duke qenë se kohët e fundit në publik nuk kanë munguar sulmet ndaj prindërve të mi dhe ndaj integritetit të tyre publik, profesional e shoqëror, dua të bëj disa saktësime në lidhje me punën e tim eti, Mevlan Shanaj.

Sipas shifrave të historikut të QKK-së që disponoj, vetëm filmi “Shqiptari”, i një autori të huaj krejtësisht të panjohur në Shqipëri dhe debutues si regjisor, është financuar nga QKK me 35.950.000 lekë.

Një tjetër film, “Muajt e Mjaltit”, me regjisor serb të njohur në vendin e tij, është financuar me 29.518.000 lekë.

Për të krijuar një ide më të përgjithshme mbi financimet e filmave të kolegëve të tim eti, po veçoj edhe dy filma me shumat më të larta të financimit nga QKK:

“Gjoleka, djali i Abazit” – Dhimitër Anagnosti: 46.000.000 lekë

“Lindje Perëndim Lindje” – Gjergj Xhuvani: 46.000.000 lekë

Dhe, për një panoramë edhe më të gjerë:

“Sekretet” – Spartak Pecani: 38.870.000 lekë — koleg i hershëm i tim eti

“Luna Park” – Florenc Papas: 32.500.000 lekë — filmi i tij i dytë si regjisor i ri

Ndërkohë, e gjithë karriera filmike e Mevlan Shanajt e financuar nga QKK-ja, ku përfshihen 1 film artistik me metrazh të gjatë dhe 4 filma dokumentarë, ka një financim total prej vetëm 20.185.000 lekësh.

Pra, 5 filmat e Mevlan Shanajt, të marrë së bashku, nuk arrijnë as shumën e financimit të një filmi të vetëm të disa prej kolegëve të tij, vendas apo të huaj, të rinj apo bashkëmoshatarë.

Kaq për sa i përket pretendimit për “monopolin” e familjes Shanaj.

Dhe theksoj: shifrat e mësipërme paraqesin vetëm një pjesë të vogël të financimeve të filmave të kolegëve të tim eti, jo të gjithë historikun e tyre.

Për ta mbyllur me një fakt konkret:

Filmi i vetëm artistik me metrazh të gjatë i Mevlan Shanajt është “Lule të kuqe, lule të zeza”, i financuar me 14.500.000 lekë.

Është gjithashtu filmi i fundit i xhiruar në Shqipëri në film pelikule.

Besoj faktet dhe shifrat flasin vetë.

Ndjesë babai im për këto shqetësime të panevojshme në jetën dhe karrierën tënde brilante.

Ndjesë gjithashtu kolegëve të tu dhe të mi që më duhet t'i përmend me shifra dhe emra, por i lutem për mirëkuptim pasi fjala është për integritetin e një familjeje të tërë kolegë sa vetë jeta dhe miq të tyre dhe të gjithë autorëve krijuesë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese