web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Tensioni te Portugalia, zbulohet lëvizja e fundit për Ronaldo-n

2 Tetor 2026, 18:10, Sport CNA

Tensioni te Portugalia, zbulohet lëvizja e fundit për Ronaldo-n

Java e ardhshme pritet të sjellë dy situata të ndryshme për dy prej figurave kryesore të futbollit të gjeneratës së fundit. Në Argjentinë, vëmendja do të jetë te Lionel Mesi, ndërsa në Portugali Federata po përpiqet të ndërhyjë për të qetësuar marrëdhëniet me Cristiano Ronaldo-n dhe për të shmangur një mbyllje të konfliktit me kombëtaren.

Federata Portugeze e Futbollit po kërkon të organizojë një takim me sulmuesin e Al Nassr, me synimin për të ulur tensionet e krijuara gjatë ditëve të fundit.

Sipas “Marca”-s, drejtuesit e Federatës duan të zhvillojnë një takim me Ronaldo-n gjatë javës së ardhshme. Qëllimi është të rikthehet komunikimi normal mes palëve dhe të gjendet një mënyrë për të rregulluar marrëdhëniet edhe me trajnerin Jorge Jesus.

Përplasja mes Ronaldo-s dhe Jesus lidhet me ndeshjen ndaj Norvegjisë. Ronaldo ishte nxehur gjatë takimit, por trajneri portugez vendosi të mos e aktivizojë. Ky vendim u bë pikënisja e një serie deklaratash dhe reagimesh mes Ronaldo-s, trajnerit dhe presidentit të Federatës.

Këta të fundit tentuan të ndërhynin menjëherë për të zgjidhur situatën. Të dy shkuan të takonin Ronaldo-n në aeroportin e Kopenhagës, por kjo përpjekje nuk mjaftoi për të mbyllur përplasjen.

Më pas, situata u përshkallëzua edhe në distancë. Ronaldo u largua drejt Spanjës dhe publikoi një mesazh ku paralajmëroi se në një moment të përshtatshëm do t’u tregonte portugezëve arsyet që e kishin shtyrë të largohej nga kombëtarja, të cilës, sipas tij, i ishte përkushtuar gjatë gjithë karrierës.

Tani Federata Portugeze kërkon të rikthejë dialogun dhe të krijojë kushtet për një dalje graduale të Ronaldo-s nga kombëtarja, nëse vetë futbollisti është dakord me këtë rrugë. Në Portugali, ndërkohë, opinioni është ndarë mes atyre që mbështesin vendimet e trajnerit dhe tifozëve që janë në krah të kapitenit të skuadrës.

Në Lisbonë është shfaqur edhe një poster pranë stadiumit “Da Luz”, ku Ronaldo falënderohet për atë që ka bërë me përfaqësuesen. Në të njëjtin poster shfaqet edhe figura e trajnerit, e shoqëruar me kritika për mënyrën se si e ka menaxhuar situatën me kapitenin.

Sipas raportimeve, një mesazh i ngjashëm pritet të shfaqet edhe pranë stadiumit “Do Dragao” në Porto. Kjo tregon se përplasja mes trajnerit dhe Ronaldo-s nuk është kufizuar vetëm te marrëdhënia brenda ekipit, por ka marrë edhe një dimension publik.





Lajmet e fundit nga