Rihanna ka prezantuar koleksionin e ri të markës së saj të të brendshmeve, Savage X Fenty, duke u shfaqur vetë në fushatën e re të markës.
Këngëtarja 38-vjeçare publikoi në Instagram disa fotografi nga seti i ri, ku kishte veshur një komplet prej dantelle në nuanca bordo dhe blu, të shoqëruar me çorape, rripa dekorativë dhe taka të zeza.
Koleksioni është pjesë e linjës së sezonit të festave dhe përfshin detaje me motive florale dhe elemente transparente. Rihanna e shoqëroi publikimin me një mesazh ku njoftoi se sezoni festiv kishte nisur tashmë.
Kjo nuk është hera e parë që artistja pozon për markën e saj. Në muajt e fundit, ajo ka prezantuar edhe pjesë nga koleksionet e reja të Savage X Fenty, duke përfshirë linjat Piccadilly Lace dhe Romantic Corded Lace.
Rihanna themeloi Savage X Fenty në vitin 2018 dhe që prej atëherë marka është fokusuar në modele dhe përmasa të ndryshme, duke e kthyer përfshirjen në një nga elementet kryesore të identitetit të saj.